Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ka reaguar pas vendimit për lirimin e katër protestuesve të arrestuar gjatë protestës së 20 shkurtit.
Ai bëri të ditur se ditën e djeshme është depozituar një kallëzim penal dhe një ankimim në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për punonjësit e policisë që kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve të shoqëruar.
Bardhi shtoi se efektivët policorë janë identifikuar dhe siguroi se ata do të mbajnë përgjegjësi penale dhe personale për veprimet e tyre.
Ai theksoi se çdo individ që ushtron dhunë ka një qëllim personal dhe shkel ligjin.
“Dje depozituam një kallëzim penal dhe një ankim në AMP. Secili prej tyre duhet të përballen me një paralajmërim publik, pasi dhuna është një akt personal dhe ka pasojat e veta personale. Çdo punonjës i uniformuar duhet të respektojë ligjin. Secili prej tyre është identifikuar dhe do të përballet me përgjegjësi penale dhe personale. Të tre janë të rinj dhe nuk kanë kundërshtuar. Ata janë dhunuar gjatë shoqërimit dhe në stacionin e policisë. Kur ligji tejkalohet, është e qartë se ka një qëllim personal. Tre prej tyre ishin pjesë e shoqërimit dhe një ishte pranë në stacionin e policisë”, u shpreh ai.