I dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një intervistë me programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuar për faktin se qeveria e Kosovës nuk po i trajton si partner dhe nuk po punojnë për sigurinë rajonale.
Zyrtari i lartë amerikan theksoi se Uashingtoni është i shqetësuar se qeveria e Albin Kurtit nuk po këshillohet me të për hapat që po ndërmerr.
“Deklaratat tona publike janë tregues se si po shkojnë marrëdhëniet në nivel diplomatik dhe politik. Ne jemi të shqetësuar për faktin se qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner. Ata nuk po konsultohen me ne. Ata nuk po punojnë me ne për sigurinë rajonale. Dhe më e rëndësishmja, ata po bëjnë gjëra që në dukje po dëmtojnë dialogun në të cilin Shtetet e Bashkuara janë angazhuar plotësisht.” – tha Escobar.
I pyetur nëse SHBA-ja do e ndalë mbështetjen ndërkombëtare për Prishtinën zyrtare, Escobar tha: “Ambasadori (amerikan në Prishtinë Hovenier e ka thënë më së miri kur tha, kjo e ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën të integrohet në komunitetin transatlantik. Pra, sa herë që flasim për Kosovën me partnerët e tjerë, veçanërisht me ata që nuk e njohin, shqetësimet e tyre janë se Kosova nuk po bën atë që kërkohet nga dialogu i lehtësuar i Bashkimit Evropian, që përfaqëson të gjithë Bashkimin Evropian, dhe pse duhet të ecin përpara. Pra, me fjalë të tjera, na e bën shumë të vështirë që të jemi në gjendje të mbështesim Kosovën për shumë gjëra, duke përfshirë NATO-n, kandidaturën për Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe një sërë organizata tjera. Kështu që nuk është se duhet të vendosim çfarë lloj pasoja, pasojat janë të vetëkuptueshme.”