Deputetja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri thotë se ligji i ri për lojërat e fatit, i miratuar në Kuvend e që i hapi rrugë basteve sportive online, është klientelist dhe do të shkaktojë problematika sociale. Ajo thotë se ligji nuk ka asnjë mekanizëm për të mbrojtur moshat e reja dhe tavani taksues është jo në përputhje me shumicën e vendeve të BE
“Së pari ky ligj i ri nuk do të kufizojë përdorimin e lojërave të fatit nga moshat e reja. Mungesa e parashikimeve në ligj për të penguar këtë fenomen ekzistues, i cili do të vijojë të ushqejë informalitet dhe të bëhet rrezik për fëmijët, mund të krijojë një spirale varësie me dëme të parekuperueshme për shoqërinë. Kështu ligji duhet të parashikonte gjurmimin e burimit e të ardhurave të transaksionit për çdo biletë që luhet nga bastet sportive online.
Tavani taksues është jo në përputhje me shumicën e vendeve të BE. Kujtojmë që në Gjermani në varësi të landeve aplikohet një taksim nga 20 deri në 80% të ardhurave, si dhe një takse shtesë në nivelin lokal, deri në 20%. Ndërsa në rastin e Shqipërisë për bastet sportive do të aplikohet taksim 15% të ardhurave bruto, duke i hequr dhe masën prej 0.4% të xhiros për qëllime e programe të Ministrisë përkatëse të Sporteve. Nuk parashikohet asnjë lloj fondi i mbledhur nga një taksim i veçantë mbi përgjegjësinë sociale”– tha Pampuri.