Është mbajtur në Shtëpinë me gjethe, performanca artistike “Mu SI NE” me pjesë të shkruara nga autorë që u dënuan gjatë regjimit komunist. Nën drejtimin e Erenestina Halilit, dhe me interpretimin e të rinjve të ‘Klubit të Dramës’ pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, për rreth 50 minuta, u shpërfaq jeta nën diktaturë mes këngëve për lavdi dhe dënimeve të pamëshirshme.
“Ishte një rrugë emocionale për të rinjtë besoj, sepse bashkë me tekstin letrar njohën edhe një pjesë të historisë së popullit shqiptar, atë pjesë të errët të cilën ne menduam ta prezantojmë në këtë buzë mbrëmjeje.
Studentët e klubit të dramës patën mundësi të takojnë edhe kujtesa të gjalla, dy personalitete me të cilët ne punuam, Lek Tasi dhe Alma Liço.
Ne përulemi me respekt, për dhimbjen e tyre, punën e tyre, kurajon e tyre dhe ngadhënjimin e tyre”, tha kuratorja e performancës, Erenestina Gjergji Halili.
Shfaqja ishte perceptuar në dhomat e Muzeut Kombëtar të Përgjimit, duke sjellë nga një hapësirë në tjetrën, realitete të dhimbshme të kohës kur mungonte liria.
“Ajo që pamë në këtë performancë është se gjithë format e artit, janë një mënyrë e mirë për të sjellë në vëmendje çështje të ndjeshme para shoqërisë që të krijojmë reflektim kritik dhe debat në shoqëri.
E kjo është e rëndësishme për të kaluar e vështirë të vendit, është e rëndësishme po ashtu të sillet historia te të rinjtë”, tha ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber.
Performanca u mbajt në kuadër të edicionit të 9-ë të “Ditëve të Kujtesës”, duke synuar përballjen me të shkuarën.
“Ishte shumë prekëse mbase.
Moto e “Ditëve të kujtesës” sivjet është Kujtesa, kur dëshmitarët të mos jenë më dhe janë të rinjtë që do ta përçojnë këtë kujtesë”, Jonila Godole, organizatore e “Ditëve të Kujtesës”.
Historitë e Musine Kokalarit, Sabiha Kasimatit, Genc Lekës, Vilson Blloshmit, Atë Zef Pllumit, Uran Kostrecit, klerikëve të dhe dënimeve edhe pa gjyq që janë dhënë në diktaturë u sollën përmes interpretimit të të rinjve.