Kryeministri izraelit Netanyahu ka zbuluar zyrtarisht planin e tij për të ardhmen e Gazës pas përfundimit të luftës me Hamasin, duke vënë një theks të fortë te “deradikalizimi” i enklavës palestineze.
Dokumenti një faqesh i titulluar “Dita pas Hamasit” iu dorëzua qeverisë izraelite për diskutim të enjten, duke përcaktuar veprimet e propozuara për periudhën afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.
Ai përsërit qëndrimin e Netanyahut se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit do “vijojnë luftën deri në shkatërrimin e plotë të aftësive ushtarake dhe infrastrukturës qeveritare të Hamasit” dhe derisa pengjet izraelite të kthehen dhe të vendoset një arkitekturë e fortë sigurie.
Në planin afatmesëm, kryeministri dëshiron që Izraeli “të ruajë lirinë operacionale të veprimtarisë” në enklavë për qëllime sigurie, pa asnjë kufizim kohor.
“Do ketë një çmilitarizim të plotë në Rripin e Gazës të çdo kapaciteti ushtarak, përtej asaj që kërkohet për nevojat e ruajtjes së rendit publik”.
Netanyahu sugjeroi gjithashtu mbajtjen e një “mbylljeje jugore” të kufirit Gaza-Egjipt për të parandaluar çdo kontrabandë në enklavë, duke vënë në dukje se perimetri duhet të ruhet në bashkëpunim me Kajron dhe me ndihmën e SHBA-së.
Plani propozon që përgjegjësitë e administratës civile t’u jepen “zyrtarëve vendas” me përvojë në menaxhim, të cilët nuk janë të lidhur me asnjë subjekt që mbështet terrorizmin.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë izraelit ka thënë për Times of Israel se shteti hebre kundërshton pjesëmarrjen e Autoritetit Palestinez (PA) me bazë në Bregun Perëndimor në qeverisjen e Gazës. Ai thuhet se tha se ndërsa Autoriteti Palestinez ka qenë në kundërshtim me Hamasin që kur u dëbua nga Gaza në 2007, ai nuk arriti të dënojë bastisjen e 7 tetorit.
Plani i Netanyahut thekson gjithashtu se Izraeli “do vijojë të kundërshtojë njohjen e njëanshme të një shteti palestinez”.
Ministria e Jashtme palestineze ka kundërshtuar planin e Netanyahut, duke pretenduar se në thelb do thotë “ripushtim i Gazës” dhe pengim i përpjekjeve për të krijuar një shtet palestinez.
“Plani i Netanyahut i shërben interesit të tij për të zgjatur luftën për të qëndruar në pushtet”, shtoi ai.
Hamasi nisi një sulm të papritur ndaj Izraelit më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 izraelitë. Më shumë se 29,000 palestinezë janë vrarë në operacionin pasues të ushtrisë izraelite në Gaza, sipas të dhënave zyrtare.