Ministri i Brendshëm Taulant Balla, nga Korça ka folur për pretendimet e Rithemelimit se punonjës të policisë kanë dhunuar protestuesit. Bardhi tha se kanë bërë edhe kallëzim penal.
Në deklaratën për mediat, Balla tha se policia ka bërë vetëm detyrën dhe ka theksuar se kushdo që ngre dorë mbi policinë do përballet me ligjin.
“Është në të drejtën e çdo qytetari të vendit të kallëzojë këdo, dhe i takon institucioneve të drejtësisë që t’i shqyrtojnë ato me vëmendjen më të madhe. Por besoj që biem të gjithë dakord që aktualisht në Shqipëri, ka dy palë: një palë të rreshtuar kundër reformës në drejtësi dhe kundër drejtësisë së re; dhe një palë tjetër që, mendoj unë, po bën gjithçka që reforma në drejtësi të shkojë përpara.
Mendoj se Policia e Shtetit, në rastin që ju i referoheni ka bërë detyrën dhe vetëm detyrën. Unë e kam thënë, sa herë më është dhënë mundësia: – askush të mos guxojë, të ngrejë dorë, kundër Policisë së Shtetit. Ligji është shumë i qartë dhe kushdo që do të tentojë të ngrejë dorë kundër Policisë së Shtetit, do të përballet me parashikimet që ka ligji. Kështu që edhe në rastin në fjalë, besoj që kemi qenë të gjithë të qartë, ka pasur një qasje dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe ndaj institucioneve të shtetit. Të gjitha vendimmarrjet që janë marrë nga Policia e Shtetit janë udhëhequr nga urdhrat e dhënë nga prokuroria”, tha Balla.