Vendosni fjalën kyçe....

Apeli rrëzon vendimin e Gjykatës së Lezhës për pezullimin nga detyra të 11 punonjësve të Kadastrës


Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë që pezulloi nga detyra 11 zyrtarë të Kadastrës, Albana Gjinaj, Marinela Tuci, Orstela Bardhaj, Sebastjano Gjetja, Besjon Ivanaj, Ornela Marku, Eglantin Lleshaj, Dorina Sulaj, Xhentil Gjegji, Vitore Lleshi dhe Diljana Prenga, ku akuzoheshin për moszbatimin e një vendimi gjyqësor për të kthyer në tokë shtet 234 mijë metra katrorë të tjetërsuar në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin.

Gjykatësi i Apelit, Fuat Vjerdha, ka vendosur rrëzimin e këtij vendimin dhe shuarjen e masave të sigurisë për zyrtarët.

Tashmë, ata mund të rikthehen në detyrën që ka patur.

Vendimi:

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, më datë 19.09.2023, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”, të parashikuar nga neni 320/a të K.Penal, mbi bazën e kallëzimit penal të paraqitur nga shtetasi A. Ç, banor i fshatit Shëngjin, Bashkia Lezhë.

Fakti penal lidhet me ekzekutimin e një vendimi penal gjyqësor, në përfundim të të cilit gjykata kishte urdhëruar asgjësimin e dokumenteve të falsifikuara, lidhur me regjistrimin në regjistrat e pasurive të paluajtshme. Për të ekzekutuar vendimin gjyqësor, Drejtori i ASHK Lezhë ngriti një grup pune të përbërë nga njëmbëdhjetpë punonjës, për mënyrën e ekzekutimit dhe kthimin e përgjigjes për ekzekutimin.

Punonjësit e grupit të punës, pasi kanë vlerësuar rastin, kanë përpiluar relacionin, sipas të cilit duhej të kerkohej nga gjykata dhe prokuroria, që të bënin sqarimin dhe interpretimin e vendimit, lidhur me pasuritë konkrete dhe veprimet që duhej të kryheshin me pronësinë mbi pasuritë përkatëse.

Pas komunikimit të vendimit për caktimin e masës, personave të dyshuar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të masës së sigurimit të dhënë me vendimin nr. 44 datë 26.01.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ndaj personave nën hetim shtetasve me iniciale A. Gj, M. T, O. B, S. Gj, B. I, O. M, E. Ll, D. S, Xh.Gj, V. Ll, D.P, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”, të parashikuar nga neni 320/1 i K. Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 52 (207), datë 30.01.2024, ka vendosur:

-Vazhdimin e masës së sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 te K.Pr.Penale të caktuar me vendimin nr.44 Akti, datë 26.01.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ndaj personave nën hetim A. Gj, M. T, O. B, S. Gj, B. I, O. M, E. Ll, D. S, Xh. Gj, V. Ll, D. P.