Vendosni fjalën kyçe....

Policia zbardh krimin në familje: 50-vjeçari u qëllua nga i biri, e bija mori përsipër krimin


Policia e Durrësit ka zbardhur vrasjen e 50-vjeçarit Pëllumb Meta, duke zbuluar se autori i dyshuar i krimit të rëndë nuk është vajza e tij 19-vjeçare, por djali 25-vjeçar, Hysen Meta.

Deri më tani, vrasjen e ka marrë përsipër vajza, Hygerta Meta, por policia ka zbuluar se qitësi nuk është ajo dhe se Hysen Meta ka pranuar ekzekutimin e babait.

“Nga të gjitha veprimet hetimore që janë kryer rezulton se djali i familjes ka realizuar qitjen.

Nuk mund të japë të gjitha detajet edhe për sekretin hetimor dhe ndjeshmërisë që ka pasur ngjarja.

Edhe 19-vjeçarja është përfshirë. Arsyeja është konfliktet që kanë pasur pjesëtarët e familjes.

E ka pranuar ekzekutori akuzën”, sqaroi pak më parë shefi i policisë së Durrësit.

Më 13 shkurt djali i madh i viktimës Hysen Meta ka bërë kallëzim në polici për zhdukjen e babait të tij, Pëllumb Meta.

Policia ka nisur kërkimet, por fakti që asnjë familjar nuk u interesua më për 50-vjeçarit, nxiti akoma më shumë autoritetet.

Më 17 shkurt, policia gjeti të parkuar në aksin Shënvlash – Rinia automjetin e Pëllumb Metës.

Si rezultat  i hetimeve më 22 shkurt u konkludua si vrasje në familje.

Policia pasi gjeti trupin, bëri edhe zhvarrimin dhe u konstatua se 50-vjeçari  është vrarë me armë zjarri.

Në lidhje me krimin, fillimisht u arrestua vajza e familjes, Hygerta Meta, i cili mori përsipër krimin dhe më pas vëllai i saj Hysen Meta.

Vajza ka dëshmuar se i ati kërkonte ta fejonte me zor me një djal në fshat edhe pse kjo e fundit nuk donte.