Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e kryefamiljarit në Durrës, gjendet arma e krimit


Disa orë pas zbulimit ku dyshohet se vajza 19-vjeçare ka vrarë babain në Durrës, policia ka gjetur edhe armën e krimit. Pistoleta është gjetur në një moçal dhe sipas të dhënave, Hygerta Meta ka treguar para hetuesve vendin ku e kishte hedhur atë.

Arma do të dërgohet në institutin e mjekësisë ligjore ku do t’i nënshtrohet ekspertizës për të provuar nëse viktima është qëlluar me të njëjtën armë.

Vajza deklaroi fillimisht se armën e kishte hedhur në det, por më pas ka treguar vendin e saktë.

Kronologjia e ngjarjes sipas policisë:

Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. M., 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi P. M., 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të.

Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të shtetasit P. M., të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.

Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së shtetasit P. M. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, shtetasja H. M., 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Shtetasja H. M. ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.

Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i shtetasit P. M. është zhvarrosur dhe është transortuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.