Vendosni fjalën kyçe....

Berisha nga dritarja: Lufta e Ukrainës shpëtimtare për Evropën e lirinë e botës


Tre ditë para vizitës së presidentit ukrainas Zelensky në Tiranë dhe dy vite nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, ish-kryeministri Berisha në arrest shtëpie vlerësoi qëndresën e Kievit.

Teksa iu drejtua mbështetësve poshtë dritares së tij, Berisha tha se lufta e Ukrainës është shpëtimtare për Evropën e lirinë e botës.

“Miqtë e mi, sot bëhen dy vite për mbarë Europën dhe botën, njerëzit e lirë, është një ditë e veçantë. Dy vite nga dita kur diktatori rus, në një paranojë hitleriane, sulmoi vendin fqinj me qindra mijëra tanke, avionë, duke besuar se me një Blitzkrieg, njëlloj si Hitleri në Luftën e Dytë Botërore do lante duart shpejt e shpejt me Ukrainën dhe do u përvishej vendeve të tjera të lira të Europës. Por, falë qëndresës, heroizmit legjendar të luftëtarëve të lirisë të kombit ukrainas, presidentit të nderuar Zelensky, ata që parashikuan disfatën apo mposhtjen e Ukrainës brenda javës, morët në fushat dhe malet e saj disfatën historike. Autokolonat e tankeve dhe blindave, skuadrat vdekjendjellëse të aviacionit u asgjësuan. Kombi ukrainas qëndroi për dheun e vet. Por qëndroi për të gjithë vendet e lira në Europë dhe në botë. Lufta e kombit ukrainas është një luftë shpëtimtare për Europën. Është një luftë shpëtimtare për lirinë e botës.” – tha Berisha.

Kreui Rithemelimit tha më tej se qytetarët shqiptarë po rezistojnë ndaj kryeministrit Rama e qeverisë së tij të cilën e quajti pushtim të brendshëm barbar që e ka mbuluar vendin me korrupsion dhe dhunon çdo minutë të drejtat dhe liritë e shqiptarëve e i vjedh ata.

“Të dashur misionare dhe misionarë, qëndrestare dhe qëndrestare të lirisë, shpresës, dinjitetit njerëzor dhe të ardhmes sonë. Përulem me mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh para jush për betejën tuaj kundër një pushtimi të brendshëm barbar, e cila siç u shpreh me të drejtë parafolësja, do një Shqipëri pa shqiptarë. Ju, po qëndroni çdo ditë kundër këtij regjimi, i cili ka mbuluar Shqipërinë me korrupsion. I cili dhunon çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë, të drejtat dhe liritë e shqiptarëve.I cili vjedh shqiptarët nga mëngjesi gjer në darkë dhe i largon ata nga Shqipëria.” – shtoi Berisha.