Pamjet e policisë duke rrahur studentët pro-palestinezë nxitën dënime të gjera në Itali të premten, me opozitën që i bëri thirrje ministrit të Brendshëm t’i drejtohet parlamentit lidhur me këtë episod.
Marshimet e studentëve u bllokuan nga policia në qytetet toskane të Firences dhe Pizës, me pamjet e oficerëve që përdorën fuqishëm shkopinjtë e tyre ndaj protestuesve të moshës shkollore në Pizë, duke shkaktuar zemërim në mediat sociale dhe nga politikanët.
Videot shfaqnin studentët, të cilët dukej se po protestonin në mënyrë paqësore, duke u tërhequr nën një breshëri goditjesh nga forcat e rendit të veshur me helmeta dhe pajisje të rënda.
“Kështu i rrihni fëmijët tuaj,” dëgjohet duke bërtitur një grua e re.
Elly Schlein, kreu i Partisë Demokratike të qendrës së majtë, postoi në Facebook një video të skenave “të papranueshme” të “studentëve të bllokuar në një rrugicë, të rrahur nga policia”.
Ajo tha se qeveria e krahut të djathtë të Giorgia Melonit, e cila erdhi në detyrë në vitin 2022 duke premtuar se do godiste emigracionin e paligjshëm dhe do promovonte ligjin dhe rendin, po krijonte një “klimë represioni” në vend.
Enzo Letizia, kreu i ANFP, një sindikatë policore, tha se protestat e studentëve shpesh infiltroheshin nga “nxitës ekspertë” dhe gjykimet nuk duheshin bërë derisa të kryhej një hetim për incidentet.
Mësuesit në shkollën e mesme Russoli të Pizës, e cila është afër rrugës ku u zhvillua marshimi dhe ku morën pjesë disa nga nxënësit e përfshirë, thanë se ishin “të shtangur” nga trajtimi i protestuesve, shumica e të cilëve ishin të mitur.