Është zbardhur dëshmia para hetuesve e 25-vjeçarit Hysen Meta, i cili qëlloi për vdekje me armë zjarri të atin dhe më pas në bashkëpunim me të motrën, Hygerta dhe Amarildo Meta, e varrosën në kasollen pranë banesës së tyre në fshatin Shënavlash të Durrësit.
Hysen Meta ka pranuar se ishte ai autori i krimit të rëndë, pasi fillimisht ishte motra e tij 19-vjeçare që mori përsipër vrasjen e babait të tyre Pëllumb Meta.
I riu ka deklaruar se vrasjen të atit e ka kryer mesditën e 10 shkurtit brenda banesës në sy të familjarëve të tjerë, pasi sipas tij, 50-vjeçari ua kishte nxirë jetë. 25-vjeçari u shpreh se e mbështollën trupin së bashku me të motrën dhe vëllain me plastmas që të mos rridhte gjak.
“Po unë e qëllova. Debatuam keq. Ishin edhe antarët e tjerë të familjes në shtëpi. Ishte data 10 shkurt. Në mesditë ka ndodhur ngjarja. Nuk ishte hera e parë që debatonim. Aty u mbush kupa. Kur ikte ai në punë i thoshim njëri tjetrit na nxiu jetën, me këtë njeri nuk jetohet. Mesditën e dhjetë shkurtit, gjatë debatit mora pistoletën dhe e qëllova disa herë. Nuk më kujtohet sa herë e shkrepa armën.
Ishim në dhomë, atë e mbuloi gjaku. Bashkë me motrën dhe vëllain e morëm trupin, e mbështollëm me plastmas mos të rridhte gjak. Më pas hapem gropën brenda kasollës me qëllim mos të na shikonte njeri. Gjatë mbrëmjes zhvendosem trupin nga shtëpia deri te kasollja. E mbuluam aty. Më pas planifikuam se cfare do të thoshim në polici. Pasi zhdukëm trupin, duhet të zhduknim makinën.
E morëm makinën dy ditë më pas dhe cuam diku afër sektorit rinia. Pastaj erdhëm në polici. Më pas dihet, ndodhi ajo që e dini edhe ju. E zbuluat. Donte ta merte përsipër motra pasi në një farë mënyre ishte shkaku i sherrit. Por e vërteta është kjo që them unë. Marr përsipër autorësinë, nuk jam penduar. Më vjen keq vetëm për motrën dhe vëllain se nuk kanë faj fare”,- ka qëne kjo një pjesë e dëshmisë së 25 vjecarit.