Të ardhurat nga nafta: të shkurtuara. Pasuritë e oligarkëve: të ngrira. Qasja në armë: e bllokuar
Rusia është përballur me një mori sanksionesh historike nga Uashingtoni, Brukseli ka vënë edhe më shumë ndëshkime ndaj Moskës që kur nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Dënimet, kryesisht në fushën ekonomike, u projektuan në një pjesë të madhe për të zbrazur arkat e Rusisë në mënyrë që të mos kishte mundësi për të financuar luftën e saj.
Dhe më shumë dhimbje është premtuar pasi SHBA-ja dhe BE-ja shpalosën sanksione të reja kundër Rusisë këtë javë, disa të lidhura me vdekjen e liderit të burgosur të opozitës Alexei Navalny.
Megjithatë, dy vjet më vonë, ekonomia e Rusisë është rimëkëmbur. Fabrikat e saj po zhurmojnë, shitjet e saj të naftës dhe gazit janë relativisht të forta dhe njerëzit e saj janë në punë në një sistem të rinovuar që është i lidhur me luftën. Vladimir Putin, ndërkohë, duket në mënyrë të vendosur në krye të Kremlinit, pavarësisht shpresave se elita ruse do kthehej kundër tij ndërsa presioni ekonomik rritej.
Pse masat ndërkombëtare nuk e kanë eliminuar Rusinë nga Ukraina? Përgjigja shpesh varet nga dy faktorë: vullneti politik dhe aftësia teknike.
Kërkohen burime ligjore, financiare dhe madje edhe ushtarake për të zbatuar dënimet e ndryshme, qoftë kjo kundër padive nga qytetarët rusë, paratë e të cilëve janë të ngrira ose personeli i inspektorëve në portet tregtare. Por vendet që ndjekin fushatën nuk kanë gjithmonë të njëjtin fokus, financa apo rregulla, duke e bërë zbatimin e vështirë midis aleatëve.
Politika e ndërlikon më tej ekuacionin: Është e vështirë për një qeveri të bëjë presion ndaj një tjetre për të ndaluar blerjen e produkteve ruse nëse ka nevojë për bashkëpunimin e atij vendi në fronte të tjera. Uashingtoni nuk dëshiron të forcojë një partner të mundshëm kundër Kinës si India; Brukseli nuk dëshiron të tjetërsojë Turqinë në Lindjen e Mesme.
“Vetëm sanksionet dhe masat e tjera ekonomike nuk do ta fitojnë këtë luftë,” tha Kim Donovan, një analist i ekonomisë shtetërore me institutin e mendimit të Këshillit Atlantik në Uashington.
“Ne duhet të menaxhojmë pritshmëritë tona për atë që këto mjete mund të arrijnë në afat të shkurtër.”
Kufijtë e fushatës së rëndë të sanksioneve gjithashtu vënë në pikëpyetje projektin më të madh të Perëndimit për të frenuar Rusinë me mjete joushtarake.
Por arkitektët e përpjekjeve këshillojnë të bëhet durim, duke vënë në dukje se ekonomia ruse është dëmtuar rëndë dhe duke argumentuar se ajo që Kremlini po bën për ta mbajtur atë nuk do të funksionojë në planin afatgjatë. Ndikimi i disa elementeve të fushatës së presionit, të tilla si kontrollet e eksporteve, mund të duhen vite për t’u vlerësuar plotësisht, shtojnë ata.
Një zyrtar i lartë i administratës Biden vuri në dukje se, ndër të tjera, Rusia po kalon te rezervat e saj likuide dhe po i shtyn asetet drejt një ekonomie lufte në mënyra që do dëmtojnë stabilitetin e saj social.
“Ata kanë një lloj fiksimi me kohën për sa kohë mund ta mbështesin strategjinë,” tha zyrtari i lartë, i cili foli në kishte anonimiteti duke qenë se bëhet fjalë për një çshtje të brishtë.
“Dhe kështu qëllimi ynë është të përpiqemi ta bëjmë atë më të vështirë dhe të përshpejtojmë ritmin me të cilin ata po lëvizin në një pikë ku kjo thjesht do bëhet e paqëndrueshme.”
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Ëatson këmbënguli se masat e tilla “kanë pasur një ndikim të rëndësishëm, duke ulur aftësinë e Rusisë për të financuar luftën e saj të padrejtë”.
“Ne jemi të përkushtuar të mbajmë Rusinë përgjegjëse për luftën e saj brutale dhe të paligjshme në Ukrainë dhe në bashkërendim me partnerët tanë kemi vendosur grupin më të madh të sanksioneve dhe kontrolleve të eksporteve të vendosura ndonjëherë ndaj një ekonomie të madhe”, tha Ëatson.
Edhe pse mbronin ndikimin e sanksioneve, zyrtarë të tjerë të lartë e njohën kufizimet e ndëshkimeve ekonomike.
“Vetëm sanksionet nuk janë të mjaftueshme për ta çuar Ukrainën drejt fitores,” u tha gazetarëve të enjten zëvendëssekretari i Thesarit Ëally Adeyemo përpara se të shpalleshin ndëshkime të reja, duke shtuar se “e vetmja mënyrë” që populli ukrainas të jetë i suksesshëm “është nëse Kongresi dhe Senati i siguron ato me burimet financiare, por edhe pajisjet ushtarale që u nevojiten për të vazhduar mbrojtjen e tyre.”
Ndërkohë, dikush mund ta hamendësojë se kur makina ekonomike ruse do ndalojë së punuari dhe lind një pyetje nëse ajo tani është e stimuluar për të vijuar luftën në Ukrainë.
Një vështrim më i thellë i disa arsyeve kryesore që fushata për të penguar Rusinë ende nuk ka pasur sukses deri tani:
Sanksione të pabarabarta
Ndoshta mjeti më i fortë që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj kanë përdorur kundër Rusisë janë sanksionet tradicionale ekonomike.
Këto dënime në përgjithësi synojnë individë, kompani dhe organe shtetërore. Ato gjithashtu mund të godasin institucionet financiare, duke përfshirë bankën qendrore të një vendi që strehon shumë nga asetet e tij kombëtare.
Nëse themi, vendi X vendos sanksione financiare ndaj një oligarku rus, kjo zakonisht do të thotë se qytetarët e vendit X nuk mund të bëjnë biznes me atë oligark dhe se pasuritë e oligarkut në vendin X janë ngrirë.
SHBA-ja ka një histori të gjatë në vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj subjekteve jashtë shtetit dhe për shkak se kaq shumë njerëz dhe kompani bëjnë biznes duke përdorur dollarin amerikan, shtrirja e rrezes së Uashingtonit është e gjatë. Shkelësit potencialisht përballen me akuza penale, gjoba të mëdha dhe pasuri të ngrira.
Por SHBA-ja gjithashtu ka krijuar legjislacion, burime dhe organe qeveritare, si Zyra e Departamentit të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja, të përkushtuara për të gjurmuar shkelësit e sanksioneve. Vendet e tjera kanë sisteme më pak të forta dhe kanë më shumë gjasa të lënë shkelësit të kalojnë e t’i anashkalojnë ndëshkimet.
“Personalisht, nuk e di se sa të mira janë autoritetet italiane në zbatimin e sanksioneve. Unë mendoj se bankat italiane kanë më shumë frikë nga OFAC dhe Departamenti i Drejtësisë në SHBA sesa nga rregullatorët e tyre”, tha Edëard Fishman, një ish-zyrtar i lartë në Departamentin e Shtetit, i cili tani është në Qendrën e Universitetit të Kolumbias për Politikat Globale të Energjisë.
Për të penguar zgjidhjet, Uashingtoni po u kthehet gjithnjë e më shumë “sanksioneve dytësore”. Kjo i lejon SHBA-së të penalizojë subjektet me bazë në vende të treta për të bërë biznes me entitete ruse të sanksionuara.
Në dhjetor, presidenti Joe Biden lëshoi një urdhër ekzekutiv që, ndër të tjera, mund të çojë në humbjen e qasjes së bankave të huaja në sistemin financiar të SHBA-së nëse bëjnë biznes me kompleksin ushtarak-industrial të Rusisë. Thesari njoftoi të premten sanksione shtesë nën këtë autoritet që synojnë 26 subjekte në 11 vende, duke përfshirë Kinën, Serbinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Lihtenshtejnin.
Masat shënuan një zgjerim agresiv të strategjisë së administratës kundër Putinit dhe mund të shkurajonin bankat nga sektorë të tërë në një përpjekje për të respektuar rregullat.
Disa aleatë të SHBA-së i konsiderojnë sanksionet dytësore një tejkalim të autoritetit të Uashingtonit pasi mund të godasë palët e treta që nuk i nënshtrohen sanksioneve.
Megjithatë, masat nuk janë aq të rrepta sa rregullat që SHBA-ja ka në vend për të goditur Iranin, i cili ndëshkon bankat e huaja për transaksione të çdo lloji me një bankë iraniane.
Një zbrazëtirë e madhe është një përjashtim që lejon transaksionet e lidhura me energjinë me bankat ruse të sanksionuara. Ndërsa kjo ka parandaluar trazira të mëdha në tregjet globale të energjisë, ka lejuar gjithashtu që një sasi e konsiderueshme kapitali të vazhdojë të rrjedhë në ekonominë e Rusisë.
Adeyemo tha se nuk është marrë asnjë vendim nëse do zgjerohej përjashtimi, por mbrojti masën si pjesë e një strategjie të përgjithshme për të parandaluar një ndikim negativ në vendet në zhvillim që varen nga eksportet ruse të energjisë, duke shtypur të ardhurat e naftës së Rusisë.
“Nëse do ishim në një vend ku do ndërpritej një pjesë të naftës së Rusisë dhe çmimet do rriteshin, ata mund të fitonin më shumë para duke shitur më pak naftë,” tha ai.
BE-ja po bën gjithashtu një përpjekje për të zgjeruar regjimin e saj të sanksioneve në vende të tjera. Brukseli ka dërguar të dërguarin e tij të sanksioneve speciale David O’Sullivan për të paraqitur prova të evazionit dhe anashkalimit te qeveritë e huaja, duke shpresuar se më pas ata do t’i bashkohen skemës së dënimeve të bllokut. Po ashtu është ideja e krijimit të një autoriteti në mbarë BE-në për të mbikëqyrur zbatimin e sanksioneve, në mënyrë efektive përgjigjen e Brukselit ndaj OFAC.
Megjithatë, duke marrë parasysh se sa e ndjeshme është heqja e përgjegjësive nga qeveritë kombëtare evropiane, mund të kalojë pak kohë para se të vendoset. O’Sullivan nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
“Koha për të admiruar sfidën ka ikur,” tha Tom Keatinge, drejtor në Qendrën për Studimet e Krimit Financiar dhe Sigurisë të RUSI Europe, një institut ndërkombëtar i mendimit.
“BE-ja ka më shumë leva që mund të tërheqë sesa SHBA-ja, duke pasur parasysh se është blloku më i madh tregtar në botë. Është vetëm çështja se si të përdoret kjo fuqi.”
Eksportet jashtë kontrollit
Përdorimi i kontrolleve të eksportit për të siguruar që Rusia nuk mund të marrë mallra të teknologjisë së lartë për luftën ka qenë veçanërisht sfidues.
Kontrollet e eksportit janë krijuar për të kufizuar qasjen e Rusisë në disa lloje prodhimesh, të tilla si mikroçipet. Shpesh këto mallra janë “me përdorim të dyfishtë”, që do të thotë se mund të përdoren si për qëllime civile ashtu edhe për qëllime ushtarake. Shembujt përfshijnë kamionë dhe furgona që mund të përdoren për logjistikën e ushtrisë ose gjysmëpërçuesit që gjenden në fushën e betejës në raketat dhe dronët rusë.
Ekzistojnë dy rrugë mjaft të lehta për Rusinë për të anashkaluar kontrollet e eksportit.
E para përfshin rietiketimin e një dërgese në një vend të tretë – Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina janë shkelës të njohur. Një kompani perëndimore që i shet çipa një klienti në Emiratet e Bashkuara Arabe, për shembull, nuk ka asnjë detyrim të ndjekë atë që ndodh më pas me me mallrat. Zyrave doganore gjithashtu u mungojnë burimet për një gjurmim të tillë.
E dyta përfshin pretendimin se një dërgesë do udhëtojë përmes Rusisë në Azinë Qendrore ose Kaukazin e Jugut, ndërkohë që ndodh që mallrat thjesht të mos dalin kurrë nga Rusia. Kjo ndodhi vitin e kaluar kur një kompani finlandeze shiti pajisje radari për një aeroport në Kazakistan, por është e paqartë nëse pajisjet, me sa duket të dërguara me kamion në Rusi, arritën në destinacion.
Sfida qëndron tek zbatimi.
“Është një lojë e vijueshme e maces me miun,” tha Bill Reinsch, një ish-zyrtar i Departamentit të Tregtisë tani në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
“Është një luftë e vazhdueshme përpara me kompanitë që po ndryshojnë emrin e tyre, po dalin nga biznesi dhe po transferojnë gjëra nga pika A në pikën B, në pikën C, në pikën D, dhe më në fund po i çojnë ato në Rusi.”
Gjobat e SHBA-së për shkeljet e kontrollit të eksportit janë gjithashtu “çikërrima” kur krahasohen me akuza si korrupsioni i huaj që tejkalojnë 1 miliard dollarë, sipas një raporti të nëntorit nga Shkolla e Drejtësisë e Universitetit të Nju Jorkut. Prandaj, kompanitë mund të kenë më pak gjasa të përqendrohen në kontrollet e eksportit kur përballen me ndëshkime më të mëdha të mundshme.
Mattheë Axelrod, ndihmëssekretari i Departamentit të Tregtisë për zbatimin e eksporteve, tha muajin e kaluar se SHBA-ja është në “presion” për të goditur me ndëshkime edhe më të rrepta kompanitë që shkelin rregullat e eksportit në Rusi, Kinë dhe Iran.
“Mund të prisni që të shihni më shumë rezoluta të korporatave me fatura të mëdha në vijim”, tha Axelrod.
Commerce nuk pranoi të komentonte më tej mbi ato veprime, por të premten njoftoi se po shtonte afërsisht 100 persona ose kompani të tjera në listën e subjekteve të huaja që i nënshtrohen kufizimeve të eksportit, duke argumentuar se kjo mund ta bëjë më të vështirë për Rusinë marrjen e mallrave nga të cilat mund të përfitojë ushtria e saj.
Shumë ligjvënës amerikanë duan të rrisin fondet për misionin e kontrollit të eksportit të Byrosë së Industrisë dhe Sigurisë, i ngarkuar me zbatimin e kufizimeve për mallrat me përdorim të dyfishtë. Por bllokimi partizan dhe cikli i ardhshëm i zgjedhjeve të përgjithshme në SHBA mund të vonojnë legjislacionin.
Boshti i evazionit
Rusia ka qenë në gjendje t’u drejtohet vendeve të tjera në kundërshtim me Perëndimin për të blerë, shitur dhe lëvizur prodhime, duke përfshirë armët për t’u përdorur kundër Ukrainës.
“Kundërshtarët, pavarësisht nëse është Rusia apo Irani, Kina në një farë mase, Koreja e Veriut, ata po punojnë të gjithë së bashku”, tha Donovan.
Që nga pushtimi i Putinit, Rusia dhe Kina, në veçanti, kanë sinjalizuar një partneritet të thelluar si ekonomikisht ashtu edhe diplomatikisht, me Pekinin që shpesh kundërshton të mbështesë disa rezoluta që synojnë Moskën në Kombet e Bashkuara.
Kina ka zgjeruar në mënyrë të madhe blerjet e saj të naftës ruse, duke përfituar nga zbritjet e ofruara nga Kremlini dhe ka të ngjarë t’i sigurojë Moskës teknologji të rëndësishme, sipas një vlerësimi nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të Uashingtonit. Kjo mund të përfshijë përbërës mikroelektronikë që mund të përdoren si pjesë e përpjekjeve të luftës.
Adeyemo i Thesarit tha se SHBA-ja vijon të përfshihet drejtpërdrejt me qeverinë kineze për mbështetjen e saj për Rusinë.
“Gjithnjë e më shumë, ne po shkojmë drejtpërdrejt te firmat e sektorit privat kinez dhe firmat e sektorit privat në një numër prej këtyre vendeve të treta, për t’u bërë të qartë atyre se ata kanë një zgjedhje dhe se ne jemi gati të përdorim mjetet tona për t’i gjurmuar”, tha ai.
Ndërkohë, BE-ja vetëm këtë javë ra dakord të sanksionojë kompanitë kontinentale kineze për dërgimin e mallrave me përdorim të dyfishtë në Rusi pas ngurrimeve të gjata mbi frikën e zemërimit të Pekinit.
Rusia përdor gjithashtu anijet e “flotës hije” të Iranit që kanë një histori të gjatë shmangieje të sanksioneve perëndimore duke maskuar lëvizjet dhe pronësinë e tyre. Anijet kanë lëvizur më shumë naftë ruse, sipas raporteve të mediave, analistëve të sanksioneve dhe ekspertëve të tjerë.
Koreja e Veriut, një shtet i armatosur mirë, ndërkohë ka furnizuar Moskën me raketa dhe municion artilerie.
Jo çdo vend që blen prodhime ruse është një kundërshtar i aleatëve të Ukrainës në Uashington dhe Bruksel. India, për shembull, ka rritur blerjet e saj të naftës ruse. Shtetet e Bashkuara, megjithatë, kanë pak interes për të goditur Nju Delhin. Ajo ka nevojë që India të jetë një partner kundër Kinës, kështu që ajo ka mbajtur në minimum çdo thirrje lidhur me Rusinë.
“Në muajt e parë, pati një rënie dramatike të tregtisë midis Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë,” tha Chris Miller nga Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve, një institut me bazë në D.C.
“Por shumë nga ato vëllime tregtare u rikuperuan sepse tregtia sapo po ridrejtohej, kryesisht përmes Kinës, por edhe Turqisë dhe Dubait dhe vendeve të tjera.”
Dilema për çmimin tavan të naftës
Klubi G7 i ekonomive të mëdha, plus BE-ja dhe Australia, ranë dakord në fund të vitit 2022 për të vendosur kufizime të papara ndaj naftës ruse, përkatësisht duke kufizuar çmimin e saj të shitjes në vetëm 60 dollarë për fuçi.
Lëvizja ishte krijuar për të detyruar Moskën të mbante rrjedhjen e karburanteve të saj fosile, duke siguruar që tregu global i energjisë të mbetej i qëndrueshëm, duke u siguruar njëkohësisht që vendi të fitonte ndjeshëm më pak prej tyre. Fillimisht, kjo e goditi Kremlinin në xhep dhe i ka kushtuar Rusisë rreth 36 miliardë dollarë të ardhura nga eksporti që përndryshe mund të kishte përdorur për të financuar luftën.
Megjithatë, efekti që atëherë është zbutur, me eksportin kryesor të Moskës që është rritur në rreth 70-80 dollarë për fuçi gjatë gjashtë muajve të fundit. Analistët paralajmërojnë se tani praktikisht asnjë fuçi nafte ruse nuk po shitet nën kufirin e çmimit prej 60 dollarësh të naftës.
Sipas ekspertëve, mbikëqyrja e pamjaftueshme e transaksioneve dhe dështimi për të shtypur ata që shkelin rregullat e kanë minuar politikën dhe të ardhurat e vendit nga nafta po kthehen.
“Vetë kufiri i çmimit është një mjet vërtet i çuditshëm dhe me të vërtetë varet nga një koalicion i të gatshëmve për ta zbatuar atë,” tha Donovan.
Moska po shfrytëzon zbrazëtitë që e lejojnë atë të transportojë naftë bruto në vende të tilla si Kina, Turqia dhe India për t’u rafinuar në karburant që më pas shitet në BE dhe Britani – të dyja pjesë e kufirit të çmimit të G7-ës. Përderisa vetë nafta trajtohet nga ndërmjetës, as shitësi dhe as blerësi nuk po i shkelin rregullat.
Thesari i SHBA-së sanksionoi të premten kompaninë më të madhe ruse të transportit dhe operatorin e flotës, si dhe 14 cisterna të naftës së papërpunuar në të cilat kompania ka interes. Administrata argumenton se kjo do e bëjë kufirin e çmimit më efektiv sepse do të jetë më e shtrenjtë për Rusinë të shesë naftë ndërsa do sjellë rënie të të ardhurave të saj.
Adeyemo tha se veprimet do e detyrojnë Rusinë të vijojë të shesë naftë me 60 dollarë për fuçi ose të investojë në krijimin e ekosistemit të saj të anijeve dhe ndërmjetësve financiarë për të ofruar naftë jashtë kufirit të çmimit.
“Nga këndvështrimi ynë, këto investime në blerjen e cisternave janë para që nuk mund t’i investojnë në blerjen e tankeve,” tha ai.
Sanksionet në vështirësi
Shumë individë dhe kompani ruse të sanksionuar po i drejtohen gjykatave për lehtësim dhe në disa raste po ia dalin mbanë, duke vënë në siklet qeveritë dhe duke sforcuar burimet e tyre ligjore.
Ky ka qenë më pak problem në SHBA, të cilat kanë një regjim sanksionesh të vendosur prej kohësh, i cili ka staf të mirë, ndjek penalisht në mënyrë proaktive dhe ka shtrirje globale. Por fqinji i saj, Kanadaja po i lufton gjithnjë e më shumë këto sfida me një regjim shumë më pak të zhvilluar dhe një ekip të vogël sanksionesh që ka arritur pak sukses vitet e fundit, krahasuar me qindra që punojnë në SHBA.
Kanadaja shënjestroi mijëra qytetarë rusë me sanksione gjithëpërfshirëse nga industrialistët tek oligarkët. Por përpjekjet e saj janë sfiduar në gjykatë nga të gjithë, nga operatori më i madh i rrjetit celular të Rusisë, MTS, tek Aleksey Isaykin, një aleat i dikurshëm i Putinit dhe themeluesi i Volga-Dnepr, i cili zotëron një aeroplan mallrash të konfiskuar që është ndalur në një aeroport të Torontos. që nga shkurti 2022.
Ata argumentojnë se u sanksionuan gabimisht dhe Otava, e cila nuk është transparente për provat në të cilat mbështetet, është detyruar të heqë në heshtje një seri individësh nga lista. Paditësit e suksesshëm kanë përfshirë ish-gruan e një miliarderi të lidhur me bankën më të madhe private të Rusisë, ish-zyrtarë të naftës dhe bankave dhe modelen dhe yllin e popit serb Aleksandra Melnichenko. Bashkëshorti i saj, Andrey Melnichenko, superjahti i të cilit u konfiskua nga Italia, së fundmi u rikthye në gjykatë për të apeluar sanksionimin e tij.
Kanadaja hoqi nga lista biznesmenin dhe ish-çiklistin profesionist Igor Makarov gushtin e kaluar pasi miliarderi dha prova se ai nuk jetonte në Rusi që nga viti 2013 dhe kishte hequr dorë nga shtetësia. Por Otava e përfshiu atë në të njëjtën ditë, ashtu siç mbylli një boshllëk sanksionesh rreth ndryshimeve në shtetësi. Ministria e Jashtme paralajmëroi në atë kohë se “oligarkët e pasur” po gjenin “mënyra gjithnjë e më kreative” për tëshpëtuar.
Otava ka mbajtur qëndrimin se sanksionet e saj kanë qenë efektive në bashkëpunim me aleatët e saj, duke thënë në një deklaratë: “Kanadaja është e përkushtuar për zbatimin efektiv të sanksioneve kundër shteteve të huaja, individëve dhe subjekteve, veprimet e të cilëve çojnë në shkelje të rënda të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.
Avokatët e miliarderëve rusë dhe anëtarëve të familjeve të tyre gjithashtu kanë kërkuar të përdorin gjykatat për të minuar argumentin e Bashkimit Evropian se ata janë bashkëpunëtorë në luftën e Rusisë.
Manjati i metaleve Alisher Usmanov humbi një rast në fillim të shkurtit. Ruso-uzbeku që vlerësohet të ketë një vlerë neto prej rreth 20 miliardë dollarësh, argumentoi se provat kundër tij ishin mbledhur në mënyrë të dobët nga shkrimet në media dhe nuk ishin bazuar në kërkime të mirëfillta.
Gjykata e Luksemburgut hodhi poshtë argumentet e tij, duke thënë se BE-ja nuk ka mjete alternative në dispozicion.
“Në mungesë të kompetencave hetimore në vendet e treta, vlerësimi i autoriteteve të Bashkimit Evropian, në fakt, duhet të bazohet në burime informacioni të aksesueshme për publikun”, thuhet në vendim.
Katër oligarkë të tjerë po paditin gjithashtu krahun ndërqeveritar të Bashkimit Evropian, Këshillin e BE-së, duke sfiduar një detyrim për të raportuar pasuritë që zotërojnë, mbajnë ose kontrollojnë brenda bllokut. Ata argumentojnë se Këshilli nuk mund të kërkojë këtë informacion, sepse vetëm autoritetet kombëtare kanë fuqinë ligjore për ta bërë këtë.
SWIFT-i i pamjaftueshëm?
Në ditët dhe muajt pas pushtimit në shkallë të plotë, Perëndimi ndërpreu qasjen e të paktën 10 bankave ruse në Shoqërinë për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar në mbarë botën. SWIFT-i është në thelb një sistem mesazhesh që lejon institucionet financiare të komunikojnë informacionin e transaksionit dhe ndërprerja e qasjes së bankave u vlerësua si një goditje e madhe për Rusinë.
Por shumë banka ruse, duke përfshirë disa kryesore të përfshira në transaksionet e energjisë, nuk janë ndaluar nga SWIFT-i. Sipas Këshillit Atlantik, “shumica e bankave rajonale dhe më të vogla të Rusisë, mbi 300 syresh, kanë ende qasje në SWIFT, duke i mundësuar Rusisë të kryejë pagesa dhe transaksione ndërkufitare për importe dhe eksporte”.
“Fakti që mbyllja nuk ishte universale ka lënë hapësirë të mjaftueshme për bankat ruse që të vijojnë të përfitojnë nga shërbimet e mesazheve SWIFT”, tha Keatinge nga RUSI Europe.
Rusia ka kërkuar alternativa. Për shembull, Kina, e kujdesshme për varësinë e saj nga sistemet perëndimore, po përgatit konceptimin e sistemit të saj të mesazheve bankare për të konkurruar me SWIFT-in. Kjo nuk ka filluar ende, por rusët ndërkohë paguajnë për importet e tyre në juan kinez. Në vitin 2022, 20 përqind e tregtisë hyrëse paguhej në monedhën kineze, nga 3 përqind një vit më parë. Pra, edhe kur i ndalohet të flasë me bankat perëndimore, Rusia gjen kanale për të ushqyer oreksin e saj për importe.
I shtyrë në fushën e ngushtë të nxjerrjes nga SWIFT-i i Rusisë, zyrtari i lartë i administratës Biden theksoi se bankat kryesore të përfshira në transaksionet ndërkombëtare u ndërprenë nga kjo. Nxjerrja nga SWIFT-i është gjithashtu një nga një sërë taktikash perëndimore që e bëjnë jetën më të vështirë për bankat ruse, tha zyrtari.
Por zyrtari pranoi se mbajtja e çmimeve globale të energjisë ishte një arsye kryesore që disa banka kanë mbajtur qasjen në SWIFT.
“Strategjia jonë ka qenë gjithmonë: Le të mos e bëjmë të pamundur blerjen e energjisë ruse në këtë kontekst, sepse ne mendojmë se kjo do jetë kundërproduktive,” tha zyrtari.
“Ju do i çoni çmimet e energjisë në stratosferë dhe Rusia do përfitojë në të vërtetë nga ato çmime të energjisë. Kështu që ne po përpiqemi të arrijmë këtë ekuilibër.”
Ashtu si elementët e tjerë të fushatës së presionit perëndimor kundër Rusisë, mund të kalojnë vite përpara se të kuptohet ndikimi i vërtetë i nxjerrjes nga SWIFT-i i Rusisë.
*Nahal Toosi dhe Ari Hawkins raportuan nga Uashingtoni; Koen Verhelst raportoi nga Brukseli; Gabriel Gavin raportoi nga Jerevani; Kyle Duggan raportoi nga Otava. Douglas Busvine kontribuoi në raportim nga Berlini dhe Adam Behsudi kontribuoi në raportim nga Uashingtoni.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico
Përgatiti për Hashtag.al. Klodian Manjani