Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Mbështes konfederatën si formë bashkimi të opozitës, PD s’e ka betejën me SPAK-un


Deputetja e PD-së Jorida Tabaku pohoi mbrëmjen e sotme se mbështet themelimin e një konfederate të opozitës që do përballet me qeverië në zgjedhjet e ardhshme dhe do rikthejë shpresën te qytetarët.

E ftuar në emisionin Kjo Javë në News24, Tabaku tha se ndarja në kupolën e PD-së ka çuar edhe në ndarjen e bazës dhe kjo nuk është diçka që mund të rikuperohet lehtë.

Ajo tha ndër të tjera se lufta e PD-së nuk është me SPAK-un.

“Unë nuk kam munguar në asnjë protestë të opozitës apo të PD. Protesta është një mënyrë shumë e mirë për të kanalizuar atë që ndjejmë ndaj qeverisë. Shqetësimi im ka qenë se çfarë ndodh të nesërmen pas protestës. PD nuk e ka të vështirë të mbushë sheshet, ne duhet të jemi patjetër në terren dhe të japim një alternativë qeverisëse. Unë jam pjesë e grupit parlamentar të PD, por kam kërkuar një bashkim para 3 viteve, edhe para zgjedhjeve lokale. Kjo ndarje që ka ndodhur në grupin parlamentar, ka ndodhur edhe në bazë dhe është e vështirë t’u themi këtyre qytetarëve të bashkohen pasi u bashkuam edhe ne. Unë e kam mbështetur idenë e Konfederatës si një formë bashkimi e opozitës. Sistemi elektoral sot favorizon koalicionet, nëse do jemi të copëtuar do ndihmojmë vetëm kundërshtarin, që është qeverisja. PD nuk e ka dhe nuk e ka pasur betejën me SPAK dhe nuk duhet ta ketë.” – tha Tabaku.