Konsorciumi pas Reliance Industries të Mukesh Ambani synon të nisë shërbimin e parë të stilit ChatGPT.
Ambani është njeriu më i pasur i Azisë dhe ky është një hap i madh në ambiciet e Indisë për t’u bërë një lojtar serioz në fushën e inteligjencës artificiale.
Grupi BharatGPT, i cili përfshin një krah të kompanisë më të vlefshme të Indisë dhe tetë universitete të lidhura, ofroi një paraqitje të shkurtër të modelit të gjuhës në një konferencë teknologjike në Mumbai.
Në një video të shfaqur para audiencës, një auto mekanik në Indinë jugore kërkoi ndihmë prej robotit të Inteligjencës Artificiale (AI) në gjuhën Tamile, një bankier foli me mjetin në gjuhën Hindi dhe një programues në Hyderabad e përdori atë për të shkruar kodin kompjuterik, raportoi Bloomberg.
Nëse është i suksesshëm siç është planifikuar, modeli – i quajtur Hanuman sipas hyjnisë hindu – do të përfaqësojë përparimin e Indisë në garën me ritme të shpejta për të zhvilluar teknologjinë e inteligjencës artificiale.
BharatGPT parashikon që modeli të funksionojë në më shumë se 11 gjuhë lokale në katër fusha kryesore – këto përfshijnë kujdesin shëndetësor, menaxhimin, shërbimet financiare dhe arsimin.
Modeli u zhvillua në bashkëpunim me universitetet e Institutit Indian të Teknologjisë, duke përfshirë Bombein, me mbështetjen e operatorit wireless “Reliance Jio Infocomm” dhe qeverisë indiane.