Vendosni fjalën kyçe....

Dhjetëra të arrestuar në Rusi pas homazheve për Navalny dhe pushtimin e Ukrainës


Së paku 32 persona u arrestuan në Rusi më 24 shkurt, pasi po bënin homazhe për liderin e ndjerë opozitar rus, Alexei Navalny, dhe po e shënonin dyvjetorin e pushtimit të Ukrainës nga Moska. Sipas grupit për të drejte njeriut, OVD-Info, ata u arrestuan gjatë përkujtimeve në nëntë qytete ruse.

Njëzet e shtatë nga të arrestuarit kishin vendosur kurora me lule për nder të Navalnyt, i cili vdiq nën rrethana të paqarta më 16 shkurt në një burg të largët rus në Arktik. Njëzet gra të ushtarëve rusë, të cilat po merrnin pjesë në një tubim të thirrur nga një grup për trajtim më të mirë të rekrutëve, u arrestuan së bashku me tre persona që po protestonin kundër luftës.

Dje u bënë dy vjet prej se Rusia e nisi pushtimin e paprovokuar dhe të jashtëligjshëm të Ukrainës. Kjo lufta ka sjellë pasoja shkatërruese për njerëzit në Ukrainë. Sipas të dhënave të publikuara nga Kombet e Bashkuara në nëntor të vitit të kaluar, mbi 10.000 civilë u vranë, ndërsa mes tyre ishin mbi 560 fëmijë. Megjithatë, besohet se shifrat reale janë shumë më të larta, përcjell BBC.

Autoritetet ruse i kanë shtypur vazhdimisht protestat kundër asaj që Moska e quan “operacion ushtarak” në Ukrainë dhe kanë arrestuar qytetarët që e kanë kundërshtuar luftën e tyre atje. Ndërkohë, në ditët pas njoftimit për vdekjen e Navalnyt, policia ruse ka shtypur përpjekjet për ta përkujtuar vdekjen e tij, duke larguar memorialet e improvizuara për nder të tij në disa qytete ruse, si dhe duke arrestuar qindra njerëz.

Navalny ka qenë kritiku më i madh i liderit rus për vite të tëra. Në gusht 2020, ai ishte helmuar me agjent nervor Noviçok, dhe atëbotë e kishte fajësuar aparatin shtetëror, në krye me Putinin, për atë vendim. Navalny ishte shëruar në Gjermani pas helmimit, dhe në ditën e kthimit në Rusi, ishte dërguar në burg.