Vendosni fjalën kyçe....

Ndërtimi i HEC-eve në Pukë, banorët e tre fshatrave ngrihen në protestë


Lejet e dhëna për ndërtimin e katër hidrocentralëve në zonën e Kalivarës në Pukë kanë përballuar kundërshtimin e komunitetit të tre fshatrave të prekur nga këto projekte.

Banorët e Kalivarës, Mesulit dhe Kimzë janë ngritur në protestë këtë të dielë, duke mbajtur pankarta me shkrimin “Hiqni Doren nga HEC-i për pasoja materiale dhe njerëzore”, dhe kërkojnë që këto investime të mos realizohen, pasi dëmtojnë burimet ujore dhe ekosistemin e zonës, të cilën ata e shohin si një potencial turistik.

Banorët akuzojnë institucionet për falsifikim të firmave dhe paralajmërojnë për ndërmarrjen e veprimeve ligjore, duke përfshirë kallëzimin penal të personave përgjegjës në prokurori. Ata janë vendosur të mbrojnë burimet ujore të zonës së tyre dhe janë të vendosur të luftojnë për të mbrojtur ato.

Për të përforcuar kërkesën e tyre, banorët e fshatrave Kalivarë, Mesul dhe Kimzë kanë përgatitur një peticion që do t’i drejtohet institucioneve qendrore, ku kërkojnë anulimin e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve.

Po ashtu, ata planifikojnë të ndjekin çështjen ligjërisht dhe të paraqesin çështjen në gjykatë. Lejet për ndërtimin e hidrocentraleve në Kalivarë në Pukë janë dhënë gjatë muajve të fundit dhe projekti do të zbatohet nga kompania “Be-is SHPK”, megjithëse puna në terren ende nuk ka filluar.