Vendosni fjalën kyçe....

Blogerja e famshme në Youtube që u jepte këshilla prindërve, dënohet për abuzimin e fëmijëve të saj


Ruby Franke

Ruby Franke, nënë e gjashtë fëmijëve, e cila jepte këshilla prindërore në internet përmes një kanali të njohur në YouTube, u dënua me katër dënime me burg nga 1 deri në 15 vjet secili, me akuzat e abuzimit të fëmijëve të saj.

Franke, 42, e cila kishte 2.3 milionë ndjekës në kanalin e saj të fshirë të videove ‘8 Passengers’, u arrestua në qytetin jugor të Utah, SHBA, gushtin e kaluar, pasi djali i saj 12-vjeçar i kequshqyer, me plagë të hapura dhe të lidhura me shirit ngjitës për tlat elektrikë, u ngjit nga dritarja e shtëpisë e Jodi Hildebrandt, pronare e një biznesi këshillimi, për të kërkuar ushqim dhe ujë nga një fqinj.

Një nga vajzat e Franke u gjet më vonë në një gjendje të ngjashme, e kequshqyer në shtëpinë e Hildebrandt. Pas arrestimit të Franke, vajza e saj e madhe Shari Franke, 20 vjeçe, ndau një pamje tashmë të fshirë në Instagram të oficerëve të policisë me mbishkrimin: “Më në fund”.

Ruby Franke

Franke dhe Hildebrandt, të cilët bashkëpunuan për të bërë videot e këshillimit të prindërve të tjerë, të postuara në faqen e Hildebrandt, ‘ConneXions’, u deklaruan fajtorë për abuzim të rëndë të shkallës së dytë të fëmijëve në dhjetor. Hildebrandt u dënua gjithashtu me të njëjtat akuza si Franke të martën.

Në dënimin e saj, Franke u kërkoi falje fëmijëve të saj, duke thënë se ajo kishte “besuar se errësira ishte dritë dhe e drejta ishte e gabuar. Unë do të bëja gjithçka në këtë botë për ju. Unë mora nga ju gjithçka që ishte e butë, e sigurt dhe e mirë.”

Franke gjithashtu i tha gjykatës: “Për katër vitet e fundit, unë kam zgjedhur të ndjek këshillat dhe udhëzimet që më kanë çuar në një iluzion të errët,” tha ajo.

“Versioni im i shtrembëruar i realitetit rrodhi kryesisht i pakontrolluar pasi izolohesha nga kushdo që më sfidonte.”

Jodi Hildebrandt në gjyq në Utah, 20 shkurt 2024

Hildebrandt, 54, ofroi gjithashtu një deklaratë, duke thënë se dëshironte që fëmijët “të shëroheshin fizikisht dhe emocionalisht”.

“Një nga arsyet pse nuk shkova në gjyq është sepse nuk doja që ata të rijetonin emocionalisht atë përvojë që do kishte qenë e dëmshme për ta. Shpresa dhe lutja ime është që ata të shërohen dhe të ecin përpara për të pasur jetë të bukur”, shtoi ajo.

Përpara arrestimit të saj, stili i ashpër i prindërimit të Franke kishte bërë që disa shikues ta raportonin atë tek autoritetet.

Media raportoi se disa shikues thirrën shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve në vitin 2015 kur djali i tyre Chad, atëherë 15 vjeç, tha se kishte fjetur në një qese për paketimin e fasuleve për shtatë muaj.

Ruby Franke

Në një tjetër, Franke tha se ajo dhe bashkëshorti i saj, Kevin, u thanë dy fëmijëve të tyre më të vegjël se nuk do merrnin dhurata nga Santa Claus sepse kishin qenë egoistë dhe nuk iu përgjigjën ndëshkimit, duke përfshirë pengimin e vajtjes në shkollë dhe pastrimin e dërrasave të dyshemesë.

Avokatët e Franke pretenduan se Hildebrandt e kishte “izoluar sistematikisht” atë nga familja e saj dhe bëri që klientja e tyre të adoptonte një “ndjenjë të shtrembëruar të moralit”.

Pasi bashkëshorti Kevin bëri kërkesë për divorc në dhjetor, avokatët e Franke thanë se klientja e tyre Ruby ishte “e shkatërruar”, por ajo e kuptoi arsyetimin e tij dhe respekton vendimin.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Guardian

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani