Vendosni fjalën kyçe....

Dhjetëra fëmijë humbën jetën pas përdorimit të një shurupi për kollën në Uzbekistan, dënohen me burg 23 persona


Një gjykatë në Uzbekistan i ka dënuar me burgim 23 persona, për shkak të vdekjes së 68 fëmijëve që kanë përdorur një shurup të kontaminuar kundër kollës.

Të pandehurit janë shpallur fajtorë për evazion fiskal, shitje të ilaçeve të falsifikuara ose nën standard, abuzim të pozitës publike, neglizhencë, dhe ryshfet.

Dënimet dallojnë prej dy deri në 20 vjet.

Numri i vdekjeve të bëra publike prej gjykatës në qytetin e Tashkentit është më i lartë sesa që është raportuar më parë.

Rreth 65 vdekje janë regjistruar në nisje të procesit gjyqësor gjashtëmujor dhe prokurorët i kanë shtuar edhe tri të tjera muajin e kaluar.

Shurupet e kontaminuara janë prodhuar nga Marion Biotech në Indi dhe janë shpërndarë prej Quramax Medical në Uzbekistan.

Me 20 vjet burgim, dënimin më të madh, është dënuar Singh Raghvendra Pratar, drejtor ekzekutiv në Quramax Medical.

Ish-zyrtarë të lartë, që kanë qenë përgjegjës për licencim të ilaçeve të importuara, janë dënuar po ashtu me shumë vjet burgim, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Në janar të vitit të kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se dy shurupe për kollën të Marion Biotech janë nën standard, pasi 18 fëmijë uzbekë kanë vdekur, pak pas përdorimit të tyre.

OBSH-ja pati thënë se dy shurupet – Ambronol dhe Dok-1 Max – kanë pasur sasi të papranueshme të konaminuesve.

Marion Biotech i ka mohuar akuzat, atëbotë, dhe pati thënë se nuk pajtohet me gjetjet.

Prodhimi më pas është pezulluar prej Ministrisë së Shëndetësisë në Indi, dhe licenca e kompanisë është pezulluar prej autoriteteve në rajonin Utar Pradesh të Indisë, ku e ka pasur selinë.

Në mars të vitit të kaluar, licencat e kompanisë janë anuluar përfundimisht.

Gjykata ka vendosur që familjet e 68 fëmijëve që kanë vdekur, do të kompensohen me nga 80.000 dollarë.

Shumën e njëjtë të parave do ta marrin edhe familjet e katër fëmijëve që kanë mbetur me pasoja, pasi e kanë konsumuar shurupin.