Vendosni fjalën kyçe....

Rothschildët – Auron Tare debat me Blendi Gonxhen: Zoti ministër, llafet i merr era, kujdes Butrintin


Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe i ka kushtuar një dedikim në rrjetet sociale ndarjes nga jeta të Jackob Rothschild i cili është bërë shkak për debat me Auro Taren. 

Baroni i 4-t Rothschild njihet si një nga mbrojtësit e Butrintit dhe peizazhit të tij. Madje ai e ka vizituar Parkun pas shembjes së komunizmit duke shfaqur një interes të veçantë.

Gonxhe në postimin e tij thekson se Baroni garantoi sigurinë afatgjatë të Butrintit dhe kishte një kujdes të veçantë për të. 

Me mikun e tij, Lord John Sainsbury, me të cilin kishte zgjeruar në mënyrë të lavdërueshme Galerinë Kombëtare të Londrës, ai themeloi Fondacionin Butrint në vitin 1993. Pavarësisht disa vështirësive në fillim, me qëndrueshmëri të madhe dhe vendosmërinë e tij të paluajtshme, ai garantoi sigurinë afatgjatë të Butrintit dhe peizazhin e tij të ashtuquajtur homerik”-shkruan Gonxhe.

Por duke qenë se qeveria e tanishme ka krijuar një ligj që Parku i Butrintit të menaxhohet nga fondacion privat në bashkëpunim me shtetit është parë si rrezik që do i hapë rrugë ndërtimeve në Park.

Pikërisht për këtë në komentin e tij Tare i thonë Ministrit që tashmë ka nën juridiksionin e tij kulturën dhe mes tyre edhe Parqet natyrore dhe trashëgiminë kulturore se trashëgimia e lënë nga Jackob Rothschild për mbrojtjen e Butrintit rrezikon të prishet dalë nga dalë.

Tare thotë se fjalët e ministrit mund t’i marrë era por veprat mund të mbeten.

“Ikja nga kjo botë e Lord Rothschild është një lajm trishtues. Por, fatkeqësisht trashëgimia e tij e jashtëzakonshme për Butrintin nuk u respektua dhe kontributi i tij për mbrojtjen e peizazhe Homerike te Qytetit Antik po prishet dalëngadalë. Z. Ministër siç thotë latini “Veprat Mbeten fjalët i merr era“-shkruan Tare.

Postimi i plotë i Blendi Gonxhes:

Jacob Rothschild, Baroni i 4-t Rothschild, ndërroi jetë sot në moshën 87-vjeçare. Në thelb, ai ishte po aq aventurier në art, sa edhe në biznes, e veçanërisht në pasionin e tij për filantropinë. Atij i pëlqenin sfidat dhe i pëlqente të identifikonte njerëz për ta ndihmuar në përballimin e tyre. Nga shumë projekte të jashtëzakonshme që ai ndërmori, Shqipëria dhe zona e saj e begatë arkeologjike në Butrint renditen si më të mëdhatë.

Nga vila arkadiane, që ai krijoi në Kanonas të Korfuzit, ai u fokusua në Shqipërinë e Jugut për njëzet vjet. Historia dhe peizazhi i saj e magjepsën atë, siç dukej nga pikturat dhe skicat e shumta që ai kishte mbledhur. Me fundin e komunizmit në vend, ai vendosi të vizitojë zonën arkeologjike në Butrint. Menjëherë, ai kuptoi se mund të ndihmonte jo vetëm për të mbrojtur dhe kuptuar më mirë vendin, por edhe për të ndihmuar Shqipërinë në rindërtimin e saj ekonomik. Me mikun e tij, Lord John Sainsbury, me të cilin kishte zgjeruar në mënyrë të lavdërueshme Galerinë Kombëtare të Londrës, ai themeloi Fondacionin Butrint në vitin 1993. Pavarësisht disa vështirësive në fillim, me qëndrueshmëri të madhe dhe vendosmërinë e tij të paluajtshme, ai garantoi sigurinë afatgjatë të Butrintit dhe peizazhin e tij të ashtuquajtur homerik. Duke punuar me Ministrin e Kulturës asokohe, sot Kryeministër i Shqipërisë, z. Edi Rama, ai ndihmoi në krijimin e një koncepti të ri mbrojtës rreth Butrintit. Falë këtyre nismave, Fondacioni Butrint u bë një model për menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe ndër praktikat më të mira kërkimore jo vetëm në Butrint por në të gjithë Shqipërinë. Si rezultat i drejtpërdrejtë i angazhimit të qëndrueshëm të z. Rothchild, Butrinti ka dëshmuar një rritje të vizitorëve shumë më tepër se sa imagjinohej. Siti arkeologjik ende gëzon të njëjtin frymë të vendit që Jakob zbuloi kur e vizitoi për herë të parë në 1992.

Shqipëria njohu kontributin bujar të Lord Rothschild me nderimet më të larta në një ceremoni në Sarandë në vitin 2004 dhe përsëri në Tiranë, në vitin 2015.

Jacob Rothschild ishte një figurë madhështore. Ai ishte arkitekt i shumë projekteve të mëdha të artit dhe mjedisit në Britani dhe Izrael, dhe shumë i respektuar për filantropinë e tij në Shtetet e Bashkuara. Por më shumë se kaq, ai ishte në mënyrë diskrete një nga bashkëkrijuesit e Shqipërisë moderne. Jeta e tij ndriçoi kaq shumë, ndaj ai do të mungojë, por shembulli i tij nuk do të harrohet kurrë!

RESPEKT, FALEMINDERIT dhe LAMTUMIRË Lord Rothschild!

Komenti i plotë i Auron Tares:

I nderuar Z. Ministër. Ikja e një personaliteti kaq te madh dhe kaq te rëndësishëm për trashëgiminë kulturore ndërkombëtare dhe po aq edhe shqiptare si Lord Rothschild është një lajm i trashtë. Aq më shumë kur shikon se si trashëgimia e tij në Shqipëri po sakatohet nga ndërtimet. Mund t’ju jap një lajm që me siguri që nuk e dini. Dy vite të shkuara i trishtuar Lord Rothschild shikonte se si prozhektori i fuqishëm në një nga resortet e ndërtuara në zonën e mbrojtur të Butrintit hidhte dritën në vilën e tij “Arkadiane” matanë kanalit te Korfuzit.

E pra Lord Rothschild ishte përpjekur shumë që ajo zonë të ishte një zonë e mbrojtur pikërisht siç e quanim Ne aso kohe kur të gjithë ishim bashkë në mbrojtjen e Butrintit, Peisazhet Homerike. Por për hir të historisë zoti Ministër, (pasi historia na gjykon)Lord Rothschild erdhi në Butrint në 1993 dhe pas asaj vizite ku e priti Neritan Ceka, vendosi që të bënte diçka për këtë qytet të mrekullueshëm antik. Së bashku me mikun e tij Lord Sainsbery dhe me ndihmëen e Ambasadorit Britanik Sir Patrik Fairëeather, ai filloi bisedimet me kryeministrin e aso kohe Leka Meksi. Ishte Leka Meksi po ashtu një specialist i trashëgimisë që i hapi rrugën Lord Rothschild në Butrint. Ishte Aleksandër Meksi ai që bëri të mundur që Fondacioni Butrinti të krijohej në 1999. Ishte kjo koha kur puna në Butrint filloi realisht.

Lord Rothschild ishte prezent në Butrint që nga ajo kohë dhe bashkëpunoi me një seri ish Kryeministrash dhe në veçanti me Arta Daden kur socialistët erdhën në pushtet.

Sigurisht bashkëpunoi edhe me kryeministrin e sotëm z. Rama në kohën e Ministrisë së Kulturës por i nderuar z.Ministër për hir të së vërtetës historike, Parku Kombëtar i Butrintit u krijua nga Fatos Nano me mbështetjen e fortë të Prof. Rexhep Mejdanit.

Zona e mbrojtur nga Ilir Meta dhe më vonë çuditërisht edhe Sali Berisha i cili dikur e kishte projektuar zonën si një kantier të madh ndërtimesh e zgjeroi zonën e mbrojtur.

Ishte po Fatos Nano i cili në 2004 e nderoi atë me Medalje gjest ky që Rothschild e vlerësoi shumë dhe medaljen e mbante në një kuti të posaçme në shtëpinë e tij në Ëadston Manor. (Këto shënime sa për rikujtesë).

Ikja nga kjo botë e Lord Rothschild është një lajm trishtues. Por, fatkeqësisht trashëgimia e tij e jashtëzakonshme për Butrintin nuk u respektua dhe kontributi i tij për mbrojtjen e peizazhe Homerike te Qytetit Antik po prishet dalëngadalë. Z. Ministër siç thotë latini “Veprat Mbeten fjalët i merr era”.