Vendosni fjalën kyçe....

Vendimi për Dinarin/ BE konfirmon pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë në takimin në Bruksel


Bashkimi Evropian ka konfirmuar pjesëmarrjen e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në një takim në Bruksel më 27 shkurt për çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë.

Nga Kosova konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se ftesës së BE-së i është përgjigjur pozitivisht Banka Qendrore e Kosovës, pa dhënë emra se kush do të jetë pjesë e delegacionit. Por, Radio Evropa e Lirë merr vesh se Kosova në takim do të përfaqësohet nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili. Ndërkaq, sipas medias serbe, Tanjug, në takimin e 27 shkurtit, Serbinë do ta përfaqësojë kryenegociatori serb në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq.

BQK-ja tha se edhe më herët ka shprehur gatishmërinë që të takohet me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë, për të lehtësuar transferimin e parave, përmes kanaleve bankare, pas hyrjes në fuqi të rregullores së saj më 1 shkurt, e cila arasheh që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa me para të gatshme.

“Në këtë kuptim, [BQK-ja] edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, u tha në përgjigjen e BQK-së dërguar REL-it. Ndërkaq, zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të politikës së jashtme, Nabila Massrali, nuk saktësoi se kush do të marrë pjesë, por tha se takimi do të jetë “në formatin e zakonshëm të dialogut” dhe në të do të flitet për “gjetjen e zgjidhjeve”.

Javën e kaluar, kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në takim, duke e akuzuar të dërguarin evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, se ka shkelur parimin e caktimit të agjendës së takimit, pa pajtimin e palëve.

“Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm është takim i dialogut, i cili do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimet e fundit për qarkullimin e valutave nga BQK-ja”, tha Masralli.

Sipas BE-së, takimi do të nisë në mëngjes dhe do të ketë rrjedhën e njëjtë të takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut.

“Dhe po, të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre”, tha zëdhënësja duke shtuar se detajet për takimin do të jepen më vonë./REL