Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të jetë “kundër amerikanëve” nëse zgjedh të mbështesë Rusinë në lidhje me Ukrainën.
Kështu ka thënë të dielën presidenti i vendit të shkatërruar nga lufta, Volodymyr Zelensky, shkruan CNN.
Në këtë kontekst, Zelensky tha se “nuk mund ta kuptojë se si Donald Trump mund të jetë në anën e (presidentit rus Vladimir) Putin”.
“Është e pabesueshme”, shtoi ai.
Trump, i cili është në prag të bëhet kandidati presidencial republikan pasi fitoi zgjedhjet paraprake republikane në Karolinën e Jugut, në të kaluarën ka refuzuar të thotë nëse dëshiron që Rusia apo Ukraina të fitojnë luftën.
“Unë mendoj se Donald Trump nuk e njeh Putinin”, tha Zelensky. “E di që e ka takuar… por ai kurrë nuk ka luftuar me Putinin. Ushtria amerikane nuk ka luftuar kurrë me ushtrinë ruse. Kurrë…”, tha ai.
“Unë nuk mendoj se ai e kupton se Putini nuk do të ndalet kurrë”, ka shtuar Zelensky.
Zelensky i tha CNN se Rusia po shpenzon “miliarda” për përhapjen e informacionit të rremë rreth luftës dhe se ka qenë e suksesshme në përdorimin e dezinformatave si armë dhe në ndikimin e debatit në SHBA.