Vendosni fjalën kyçe....

Anëtarësimet e reja në PS, Veliaj nga Njësia 10: Të talentuarit zgjedhin më të mirët


Fushata e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste ka vijuar edhe në Njësinë 10 në kryeqytet, ku Drejtuesi Politik për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ftoi të gjithë ata të rinj që kanë ide dhe talent, t’i bashkohen familjes së madhe socialiste.

“Po i ftove njerëzit, shumica dërrmuese thonë ‘Po’. Nëse dikujt i thua: ‘Kisha ditëlindjen, pse nuk erdhe?’ dhe ai të përgjigjet: ‘Se nuk më ftove në festë’. Kur nuk i fton njerëzit, ata nuk vijnë as në jetën reale, as në jetën politike, por dikush duhet të bëhet mukajet t’i ftojë. Nesër partisë sonë do t’iI shtohen edhe të tjerë, që ne të bëhemi një forcë e pazëvendësueshme, fitimtare, për ta çuar Shqipërinë në drejtimin e duhur. Jam i bindur se, duke parë CV-të e atyre që anëtarësohen sot, janë të gjithë njerëz cilësorë. Por, ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është se, në këtë fushatë janë anëtarësuar në Partinë Socialiste pothuajse të gjithë Presidentët e gjimnazeve të Tiranës. Se i miri shkon tek i miri, jo tek i ligu. Ai që ka vlerë, integritet dhe del me të gjitha 10-ta, nuk shkon te partia shkon të rrëzojë qeverinë dhe rrëzon vazot e bashkisë. Pra, e redukton ambicien në dy vazo. Një njeri me logjikë, që del me 10-ta në mësime, që ka talent, që punon me djersë, do të shkojë aty ku shikon të ngjashmit e vet. Vetëm tek partia jonë, te Partia Socialiste, askund tjetër”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku e vuri theksin te komunikimi, kur tha se politika ka për detyrë të transmetojë mesazhin ashtu siç është dhe të mos lërë vend për keqkuptime.

“Është shumë e rëndësishme të komunikojmë edhe politikën e ditës. Është tjetër gjë ta dëgjosh nga analistët, ku secili ka axhendën e vet, secili e ka një lidhjen, sepse nuk del të shajë kot; pra, e ka një qëllim të dëmtojë ose një nga zyrtarët tanë, ose të bëjë një servis mediatik për të bërë golat e tij. Por, ne duhet të jemi aty për të shpjeguar politikën e ditës. Ditët e fundit tema ka qenë çështja e amnistisë. Këtu bëhet fjalë për disa shkelje, ku le të themi leksioni është marrë dhe dënimi është dhënë. Siç mund të jenë këto historitë me ujin dhe dritat, që për sa i përket ligjit, ajo quhet vjedhje e energjisë dhe vjedhje e ujit. Por, ti si i majtë thua: ‘Po kjo ishte një familje që kishte disa halle, tani e mori mësimin, a mundet që pjesën tjetër të dënimit ta falim?’ Ndaj, edhe politika e ditës do shpjegim, që njerëzit të kuptojnë se këtë shtet, këtë parlament, këtë qeveri, këtë bashki, e drejtojnë njerëz të përgjegjshëm. Për të gjitha këto ju inkurajoj fort te numrat e anëtarësimeve, por mbi të gjitha për cilësinë, për doktrinën pse jemi të majtë, dhe një shpjegim mes kësaj vlere të majtë dhe çfarë është ngjarje dhe vendimmarrje e ditës e kësaj force politike, që sot drejton vendin tonë”, tha Veliaj.

Deputeti i PS, Fatmir Xhafaj, shprehu bindjen se Partisë Socialiste i bashkohen më të mirët.

“Si çdo familje, si çdo organizëm tjetër shoqëror, edhe familja jonë politike ka nevojë që të rigjenerohet me anëtarë të rinj, me energji të reja. Në qoftë se ka një gjë që e shpjegon më së miri pse Partia Socialiste vazhdon të mbetet forcë udhëheqëse në këtë vend, që gëzon besimin e njerëzve, është padyshim fakti se ajo ka ndërthurur më së miri të katër gjeneratat brenda radhëve të saj”, u shpreh Xhafaj.