Policia ka njoftuar se shtetasi Denis Bajri është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.
36-vjeçari akuzohet nga SPAK për vrasjen e Gjin Ndojit në çështjen Metamorfoza.
Gjin Ndoji (Boriçi) u vra më 9 gusht 2020 në Shkodër.
Njoftimi i policisë:
Informacioni i siguruar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe i shkëmbyer në kohë reale me partnerët në Emiratet e Bashkuara, mundëson lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, në kuadër megaoperacionit “Metamorfoza”.
Finalizohet nga Policia në Emiratet e Bashkuara, operacioni policor i koduar “Rishtas”. 36-vjeçari i ndaluar, i akuzuar nga SPAK, për vrasje.
Në vijim të punës së pandërprerë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion se një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për vrasje, fshihej në Emiratet e Bashkuara.
Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të zyrave të Interpolit, ka mundësuar finalizimin në Emiratet e Bashkuara, të operacionit policor të koduar “Rishtas”, gjatë të cilit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit D. B., 36 vjeç, lindur në Shkodër.
Ky shtetas është i akuzuar nga SPAK, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, pasi dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit Gj. B. (N.), kryer më datë 09.08.2020, në Shkodër. Vijon bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.