Vendosni fjalën kyçe....

Fermerët protesta në gjithë Evropën, përplasen me policinë, presion Brukselit të veprojë


Fermerët bllokuan të hënën një pikë kufitare mes Polonisë dhe Gjermanisë, hodhën shishe e sende të tjera ndaj policisë në Bruksel dhe u mblodhën në Madrid për të kërkuar masa për çmimet e lira të supermarketeve dhe atë që ata thonë se është konkurrencë e pandershme nga prodhimet që vijnë nga jashtë.

Ministrat e Bujqësisë nga i gjithë Bashkimi Evropian u zotuan të bëjnë më shumë për të ulur burokracinë dhe për të ndihmuar fermerët ndërsa u mblodhën në Bruksel për të diskutuar krizën në sektor pas javësh protestash të zemëruara.

BE-ja prej 27 vendesh ka dobësuar tashmë disa pjesë të politikave të saj kryesore mjedisore të Marrëveshjes së Gjelbër, duke hequr synimin për të ulur emetimet bujqësore nga udhërrëfyesi i klimës 2040.

Por fermerët kërkojnë më shumë.

“Ne jemi përsëri këtu në Bruksel si fermerë sepse Bashkimi Evropian nuk po i dëgjon kërkesat tona. Kërkesat tona janë për të ardhura të drejta,” tha Morgan Ody, bashkërenduese e përgjithshme e organizatës bujqësore ‘La Via Campesina’.

“Ne prodhojmë ushqimin dhe nuk sigurojmë dot jetesën. Pse është kështu? Për shkak të marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Për shkak të çrregullimit. Për shkak se çmimet janë nën koston e prodhimit. Kështu që ne kërkojmë që BE-ja të marrë masa.”

Në tubimin e Brukselit, policia e ndërhyrjes së shpejtë përdori makinat ujëhedhëse ndaj protestuesve, të cilët hidhnin shishe e vezë, ndërsa rreth 900 traktorë bllokuan pjesë të kryeqytetit belg, jo shumë larg zonës së rrethuar ku po mblidheshin ministrat.

Në një protestë në Madrid, fermerë nga e gjithë Spanja u binin bilbilave, zileve të lopëve dhe rrahën daullet, duke i kërkuar BE-së të lirojë rregulloret dhe të heqë disa ndryshime në Politikën e Përbashkët Bujqësore (CAP) të subvencioneve dhe programeve të tjera.

“Është e pamundur të durosh këto rregulla, ata duan që ne të punojmë në fushë gjatë ditës dhe të merremi me dokumentet natën. Ne jemi të mërzitur nga burokracia,” tha Roberto Rodriguez, i cili kultivon drithëra dhe panxhar në provincën qendrore. të Avilës.

IMPORTET NGA UKRAINA

Në Poloni, fermerët të zemëruar me importet e lira nga Ukraina jo-BE bllokuan autostradën A2 në një pikë kufitare me Gjermaninë. BE-ja vendosi dy vjet më parë të heqë dorë nga taksat mbi eksportet e ushqimit të Ukrainës, ndërsa Kievi përballet me pushtimin rus.

“Kjo është një shfaqje e solidaritetit të përbashkët, që fermerët polakë dhe gjermanë nuk do lejojnë që këto mallra nga Ukraina të vijojnë të hyjnë në tregun evropian,” tha Adrian Ëaërzyniak, një zëdhënës i sindikatës së fermerëve .

BE-ja synon të gjejë një zgjidhje më efektive në mënyrë që prodhimet bujqësore nga Ukraina të shkojnë në tregjet e tyre tradicionale jashtë BE-së, tha ministri belg i Bujqësisë David Clarinval pas takimit ministror.

Ministrat e Bujqësisë debatuan gjithashtu një grup të ri propozimesh për të lehtësuar presionet financiare mbi fermerët evropianë, duke përfshirë një ulje në inspektimet e fermave dhe mundësinë e përjashtimit të fermave të vogla nga disa standarde mjedisore.

Ata i kërkuan Komisionit Evropian, ekzekutivit të BE-së, të bëjë propozime më ambicioze për uljen e burokracisë, tha Clarinval.

BUROKRACITË

Ministri gjerman i Bujqësisë Cem Ozdemir tha se BE-ja duhet të sigurojë që fermerët të fitojnë para nëse zgjedhin masat e biolarmishmërisë dhe ato të gjelbra, duke iu referuar politikës ekzistuese të fermave të BE-së si një “përbindësh burokracie”.

“Fermeri mesatar shpenzon një të katërtën e kohës në zyra duke përgatitur dokumente,” tha ai.

BE-ja ka hequr tashmë gjatë javëve të fundit një objektiv për të ulur emetimet e bujqësisë nga udhërrëfyesi i 2040-ës, dhe gjithashtu ka tërhequr një ligj për të pakësuar pesticidet dhe ka vonuar një objektiv që fermerët të lënë një pjesë të tokës djerrë për të përmirësuar biolarmishmërinë.

Në protestën e Madridit, disa fermerë thanë se thjesht donin të lejoheshin të përdornin të njëjtat pesticide si homologët jashtë BE-së, mallrat e të cilëve importohen në bllok.

“Ne duam të konkurrojmë me të njëjtat masa,” tha Juan Carlos, një prodhues 54-vjeçar i vajit të lulediellit.

“Nëse ata përdorin një prodhim të caktuar (për tymosje), unë dua të jem në gjendje të përdor të njëjtin.”

Ankesat ndryshojnë nga vendi në vend dhe jo të gjithë fermerët bëjnë thirrje për t’i dhënë fund rregullave të gjelbra. Ody i ‘La Via Campesina’ i bëri thirrje BE-së të vendosë çmimet minimale të mbështetjes.

“Ne nuk jemi kundër politikave klimatike. Por ne e dimë se për të bërë kalimin, ne kemi nevojë për çmime më të larta për prodhimet sepse kushton më shumë prodhimi në një mënyrë ekologjike,” tha ajo.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani