Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Lartë vendos sot nëse dosja e 21 janarit do gjykohet nga SPAK apo Prokuroria e Tiranës


Dosja e 21 janarit do të gjykohet sot në Gjykatën e Lartë në orën 13:00.

Sipas informacioneve në këtë seancë, pritet që të merret në mënyrë përfundimtare një vendim se kush do ta hetojë këtë dosje të famshme, SPAK apo Prokuroria e Tiranës.

Gjykata e Lartë  do të shqyrtojë kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, që çështja të kalojë tek Prokuroria e Posaçme, për të prishur dy vendimet e dhëna nga dy shkallët gjyqësore të mëhershme. Aleks Nika është një nga protestuesit, që u ekzekutua më 21 janar 2011.

Do të jetë tashmë Gjykata e Lartë, që me një vendim urdhërues, do të vendosë nëse hetimet do t’i vazhdojë Prokuroria e Tiranës apo t’i kalojnë SPAK-ut. Në lidhje me 21 janarin, Gjykata e Strasburgut dha opinionin se ishte ‘krim shtetëror’.

Vendimi i “Strasburgut” i datës 14 nëntor 2023, ka bërë thirrje për dënimin e përgjegjësve të krimit shtetëror. SPAK do të duhet të zbardhë akuzat për urdhërim për të kryer vrasje, prishje e devijim hetimesh, pengim të drejtësisë nga zyrtarët e lartë të qeverisë shqiptare, në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha.