Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni i Reformës zgjedhore mblidhet sërish online, dëgjesë me KQZ-në


Ditën e sotme është parashikuar mbajtja e mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore. Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj nuk do të marrin pjesë fizikisht në mbledhje, por për të shmangur përplasjet me grupin e Rithemelimit, mbledhja është planifikuar të zhvillohet online.

Këtë herë, radha është e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pasi një sërë thirrjesh nga Ilirjan Celibashi për të përparuar reformën. Këtë herë, ata pritet t’i paraqesin Damian Gjiknurit dhe Enkelejd Alibeajt kërkesat që janë bërë me shkrim, përfshirë adresimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese: votën e diasporës dhe herësin, si dhe rekomandimet e BE-së për depolitizimin e administratës zgjedhore, financimin e fushatave, dhe të tjera.

Në komisionin e Reformës Zgjedhore, do të zhvillohet edhe një seancë dëgjimore me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile si dhe AKSHIN. Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj kanë organizuar më herët seanca dëgjimore me grupet e interesit, shoqërinë civile, dhe shoqatat e diasporës.

Edhe minoritetet kanë kërkuar përfaqësim të drejtpërdrejtë në Kuvend, kërkesë e përsëritur përmes një letre nga tre parti minoritare disa ditë më parë.

Ndërkohë, Partia Demokratike, e cila bashkëkryeson Komisionin, ka gati një draft për 1 zonë zgjedhore, votën e diasporës, dhe listën 100% të hapur. Ata duhet të bindin edhe Partinë Socialiste për këtë Kod Zgjedhor.