Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim oficerin e policisë Gjyqësore Fatbardh Lala, për Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Në përfundim të hetimit paraprak, rezultoi se të pandehurit Ermir Llagaçi dhe Tefta Llagaçi, në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kanë dhënë shumën monetare prej 55.000 lekë Oficerit të Policisë Gjyqësore Fatbardh Lala, pasi ky i fundit i ka dalë garant dhe u ka siguruar se mund të ushtronte ndikim tek funksionarët e drejtësisë, që janë prokurori dhe gjyqtari, të cilët kanë patur në hetim e më tej në gjykim, çështjen penale në ngarkim.
Njoftimi:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet paraprake, dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.180, të vitit 2022, me të pandehur shtetasit:
1. Fatbardh Lala, i akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” të parashikuara nga nenet 245/1 paragrafi i IV dhe 295/a paragrafi i III të K. Penal.
2. Tefta Llagaçi, e akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i 2 dhe 25 të K. Penal.
3. Ermir Llagaçi, i akuzuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i 2 dhe 25 të K. Penal.
Në përfundim të hetimit paraprak, provat e përftuara janë të afta të provojnë, tej çdo dyshimi të arsyeshëm, se të pandehurit Ermir Llagaçi dhe Tefta Llagaçi, në bashkëpunim me njëri tjetrin, duke patur një qëllim të përbashkët, e duke kryer veprime të ndërlidhura midis tyre, i kanë dhënë shumën monetare prej 55.000 lekë Oficerit të Policisë Gjyqësore Fatbardh Lala, pasi ky i fundit i ka dalë garant dhe u ka siguruar se mund të ushtronte ndikim tek funksionarët e drejtësisë, që janë prokurori dhe gjyqtari, të cilët kanë patur në hetim e më tej në gjykim, çështjen penale në ngarkim të personit nën hetim Ermir Llagaçi, duke konsumuar në këtë mënyrë veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i 2 dhe 25 të K. Penal.
Njëkohësisht provat e përftuara janë të afta të provojnë, tej çdo dyshimi të arsyeshëm, se i pandehuri Fatbardh Lala, me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore, pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka marrë/pranuar shumën prej 55.000 lekë, nga të bashkëpandehurit Llagaçi, duke ju premtuar se do të ushtrojë ndikim të paligjshëm, duke shfrytëzuar detyrën e tij si Oficer i Policisë Gjyqësore. Për këtë arsye i pandehuri Fatbardh Lala është akuzuar se ka kryer veprën penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i IV I të K. Penal.
Gjithashtu, i pandehuri Fatbardh Lala, duke nxjerrë të dhëna në lidhje me procese penale që kanë lidhje me shtetasin Ermir Llagaçi, si emrin e prokurorit, veprën penale etj., ka konsumuar edhe veprën penale të parashikuar nga neni 295/a paragrafi i tretë i Kodit Penal. Kjo pasi ai ka zbuluar të dhëna që përmbajnë aktet sekrete të një ose më shumë procedimi penal, dhe këtë informacion ai e ka disponuar duke aksesuar në zyrat e tij të punës si Oficer i Policisë Gjyqësore, pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Këto të dhëna i’a ka transmetuar të bashkëpandehurës Tefta Llagaçi, nëpërmjet telefonit, madje duke rekomanduar se prokurorët duhen takuar. Këto veprime janë kryer duke cënuar rregullin e punës së tij, duke cënuar sekretin hetimor në lidhje me çështjet në fjalë, përsa kohë që prokurorët e çështjes nuk kishin ndërmarrë veprime të hapura me shtetasin Ermir Llagaçi, duke cënuar në këtë mënyrë funksionimin e rregullt të organeve të drejtësisë, dhe parimin e sekretit hetimor, dhe për këtë arsye ai është akuzuar se ka kryer veprën penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, të parashikuar nga neni 295/a paragrafi i III të K. Penal.
Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.