Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i ftuar në emisionin “Frontline Interview” me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv e konsideroi samitin për Ukrainën që do të mbahet nesër në Tiranë si një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për diplomacinë shqiptare.
Ai tha se organizimi i nesërm do të ketë ndikim të madh në gjepolitikë dhe në peshën e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Unë mendoj le ta vlerësojmë këtë samit si një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm të diplomacisë shqiptare si një anëtar i NATO-s. Fitohet një peshë e madhe për shkak se diskutohen çështje që e tejkalojnë vendin tonë. Ka një ndikim pozitiv në gjeopolitikë. Krijojmë një marrëdhënie dhe bosht të qëndrueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare kundër agresionit rus”- u shpreh Mediu.
Deputeti u shpreh se pavarësisht dëshirës për të ndihmuar Ukrainën, Shqipëria dhe vendet e Europës Juglindore, liderët e së cilës do të jenë të pranishëm nesër në samit, kanë kapacitete modeste nga pikëpamja ushtarake.
“Në nevojën që ka sot Ukraina, gjithë ndihma e Shqipërisë dhe e vendeve të Europës Juglindore është fare modeste. Turqia dhe Greqia janë 2 vende që nga pikëpamja e fuqisë ushtarake kanë më shumë peshë. Po ashtu edhe Italia”- tha deputeti.