Sot, Presidenti ukrainas Zelensky pritet të arrijë në Shqipëri për vizitën e tij të parë në vendin tonë. Ai pritet të mbërrijë në mbrëmjen e sotme, duke sjellë me vete një frymë të re bashkëpunimi dhe miqësie midis dy vendeve.
Presidenti Zelensky ka shprehur falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Ukrainës, në një moment kur ata janë të përfshirë në organizimin e një Samiti të rëndësishëm, ku do të takohen udhëheqës nga vende të ndryshme përfshirë edhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen dhe komisionerin për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varheliy.
Në një ngjarje të rëndësishme, Presidenti Zelensky dhe Kryeministri Edi Rama do të drejtojnë Samitin e Samitit Ukrainë-Europa Juglindore, një moment i cili ka rëndësi të veçantë për bashkëpunimin dhe zhvillimin rajonal. Shqipëria, si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka shprehur qartazi mbështetjen e saj për sovranitetin territorial të Ukrainës dhe ka dënuar agresionin rus në këtë kontekst.
Përveç Samitit Ukrainë-Europa Juglindore, në Tiranë do të zhvillohet edhe Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës më datë 29 Shkurt. Kjo është një rast i rëndësishëm për liderët rajonalë për të diskutuar dhe koordinuar hapat përpara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Plani i Rritjes dhe Konvergjencës nga Komisioni Evropian synon të sjellë përfitime të mëdha për Ballkanin Perëndimor, duke inkurajuar rritjen ekonomike dhe konvergjencën shoqërore me Bashkimin Evropian.
Në fokus të këtij takimi do të jetë plani i rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rruga drejt integrimit evropian, ndërsa e pranishme pritet të jetë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen
Në samitin Ukrainë- Evropa Juglindore që do të mbahet më 28-29 shkurt në Tiranë, Kosova do të përfaqësohet nga Presidentja Vjosa Osmani. Këshilltari për media e presidentes, Bekim Kupina, theksoi se ajo do të qëndrojë në Tiranë më 28 Shkurt.
“Presidentja Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin Evropë-Juglindore Ukrainë, i cili do të mbahet në Tiranë më 28 Shkurt”. Ndërsa kryeministri Albin Kurti këtë javë ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar. Tirana do të mirëpresë për herë të parë një samit dedikuar tërësisht Ukrainës, vetëm disa ditë nga dyvjetori i nisjes së agresionit rus atje.
Masat e sigurisë
Duke filluar nga e marta, Tirana do të jetë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa disa akse do të jenë të bllokuara në intervale të ndryshme kohore. Rreth 1600 forca policie pritet të jenë të angazhuara, duke përfshirë forcat RENEA, ato të ndërhyrjes së shpejtë apo dhe shërbimi i Antiterrorit. Në gatishmëri do të jenë dhe 400 punonjës të Gardës të Republikës.
Në funksion të kësaj vizite, për të mbikëqyrur perimetrin e sigurisë do të jenë edhe grupet antieksploziv. Punimet e samitit pritet të zhvillohen në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes, ndërsa në përfundim të seancave të mbyllura për mediat do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Më 29 shkurt do të pasohet nga një tjetër samit, ai i Ballkanit Perëndimor, ku do të marrin pjesë liderët e 6 vendeve të rajonit.
Policia e Shtetit publikoi dje rrugët që do të bllokohen gjatë këtyre ditëve. Rruga “Rinas–Qafë Kashar” dhe anasjellas; – Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjellas; Unaza e Madhe, nga ishsheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit dhe anasjelltas; Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas. Gjithashtu, të gjitha rrugët që lidhin Rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”, do të jenë të bllokuara.
Në këto segmente nuk do të lejohet parkimi i mjeteve dhe për këtë arsye do të njoftohen të gjithë banorët e zonës, për mosparkim të mjeteve në këto segmente. Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Fushë Prezë – Rinas”. Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Durrësi, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Vorë- rruga e vjetër e Fushë-Krujës”. Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga juglindja, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Elbasan – rreth-rrotullimi TEG – Lindore- Paskuqan -Kamëz – kryqëzimi i Valiasit-Rinas”.