Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ka mbërritur sot në Arabinë Saudite për të zhvilluar bisedime me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman, sipas një deklarate në llogarinë e tij në Telegram.
Zelensky tha më 27 shkurt, se kuadri i Formulës së Paqes së Kievit për t’i dhënë fund pushtimit rus, si dhe kthimi i pengjeve dhe njerëzve të dëbuar do të jenë temat kryesore të diskutimit.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Arabisë Saudite, konfirmoi se Zelensky kishte mbërritur në mbretëri.
Ukraina ka mbajtur disa takime shumëpalëshe për të diskutuar formulën e paqes me përfaqësues nga dhjetëra vende.
Kievi shpreson të mbajë një Samit të Paqes në Zvicër, këtë pranverë, duke përfshirë liderët e këtyre kombeve.
“Tani jemi shumë afër mbajtjes së Samitit të parë të Paqes dhe ne llogarisim në mbështetjen e vazhdueshme aktive nga Arabia Saudite”, shkroi Zelensky në deklaratën e tij.
Rusia ka filluar pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Arabia Saudite ka ndërmjetësuar më parë shkëmbimet e të burgosurve midis Ukrainës dhe Rusisë.
Zelensky tha se ishte i sigurt se takimi i tij të martën do të “sillte rezultate” në këtë drejtim./ REL