OKB-ja vuri në dukje të marten gjendjen e rëndë humanitare në Rripin e Gazës, duke thënë se asnjë nga karvanet e saj të ndihmave humanitare nuk kishte arritur në veri të Gazës që nga 23 janari.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) tha se “kolegët na kujtojnë se asnjë nga karvanet tona humanitare nuk ka mundur të arrijë në pjesën veriore të Rripit të Gazës që nga 23 janari. Siç e dëgjuat dje nga komisioneri i përgjithshëm Philippe Lazzarini, ka pasur një rënie të mprehtë në shumën e dërgesës së ndihmave në Rripin e Gazës”, tha në një konferencë shtypi Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.
Duke theksuar nevojën për më shumë pika hyrjeje dhe rrugë të sigurta në Gaza, Dujarric tha se UNRËA ka furnizime ushqimore në kufirin me Gazën që do jenë në gjendje të sigurojnë deri në 2.2 milionë njerëz në gjithë Rripin e Gazës.
“Pothuajse 1,000 kamionë që transportojnë 15,000 ton ushqime janë në Egjipt gati për të lëvizur,” shtoi ai.
Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë afro 30,000 njerëz dhe duke shkaktuar shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme, ndërsa rreth 1,200 izraelitë besohet se janë vrarë.
Lufta izraelite ka shtyrë 85% të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60% e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalonte aktet gjenocidale dhe të merrte masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.