Vendosni fjalën kyçe....

Krimineli “më i kërkuar” i Holandës dënohet me burg përjetë, anëtar kryesor i superkartelit evropian të kokainës


Ridouan Taghi

Ridouan Taghi me origjinë marokene, i akuzuar për drejtimin e një prej operacioneve më të mëdha të trafikut të drogës në Evropë, është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Amsterdam në kulmin e një gjyqi gjashtëvjeçar që përfshin 17 të pandehur dhe gjashtë vrasje të ndërlidhura në bandat.

Taghi, 46 vjeç, i cili ishte krimineli më i kërkuar i Holandës derisa u arrestua në Dubai në dhjetor 2019, u dënua për vrasje në të gjashtë rastet, si dhe për tentativë vrasjeje në katër të tjera, për planifikimin e një serie sulmesh të mëtejshme dhe si anëtar i një organizate kriminale.

Gjyqi, me një dosje mbi 100,000 faqe, më të gjatë se në gjyqin e vrasjes MH17, i cili dënoi përjetë pas hekurave tre burra në nëntor 2022, më në fund përfundoi të martën në mëngjes kur gjyqtarët dhanë vendimin e tyre në një sallë gjyqi të sigurisë së lartë të njohur si “ bunker”.

Kryetari i trupit gjykues e përshkroi Taghin si “udhëheqësin e padiskutueshëm” të organizatës kriminale që qëndronte pas valës së vrasjeve midis viteve 2015 dhe 2017. Ai tha se ai kishte përdorur “dhunë të skajshme” për të frikësuar ata që ai kishte rivalë dhe se “terrori i ushtruar prej tij” ishte efektiv në mënyrë të pandërprerë.

Gjykatësi shtoi se kishte shumë gjasa që Taghi të kryente vrasje të reja nëse ai lirohej.

“Për këtë arsye, si dënim dhe për të mbrojtur shoqërinë, është i përshtatshëm vetëm dënimi me burgim të përjetshëm.”

Gjykata gjeti se Taghi urdhëroi vrasjet e Ronald Bakker në 2015, Samie Erraghib dhe Ranko Scekic në 2016 dhe Hakim Changachi në 2017.

Megjithatë, nuk kishte “asnjë provë” se ai urdhëroi vrasjen e Abderrahim Belhadj në vitin 2016 dhe “prova të pamjaftueshme” se ai urdhëroi vrasjen e Martin Kok në 2018.

Bashkëpunëtorët dhe të pandehurit për një kohë të gjatë të Taghit, të quajtur në gjykatë si Said R. dhe Mario R., u dënuan gjithashtu me burgim të përjetshëm. Megjithëse prokurorët kërkuan gjithashtu burg përjetë për tre nga personat më të afërt të Taghit, Achraf B. u burgos me 29 vjet, Mohamed R. me 27 vjet dhe Mao R. me 15 vjet.

Ridouan Taghi

11 të pandehurit e tjerë në këtë rast u dënuan gjithashtu, duke marrë dënime nga 21 muaj deri në 23 vjet, të gjitha më të ulëta se sa u kërkua nga prokurorët.

Nabin B, një i pandehur kyç që pranoi të jepte dëshmi në emër të prokurorisë, mori një dënim me 10 vjet.

“E plotësove pjesën tënde të marrëveshjes”, i tha gjyqtari, duke thënë se në rrethanat e krijuara një ulje përgjysmë ishte e justifikuar.

Tre vrasje u kryen gjatë gjashtë viteve të gjykimit, por nuk ishin pjesë e procesit. Disa ditë pasi Nabil B. u shpall si dëshmitar i prokurorisë, vëllai i tij, pa lidhje me botën e krimit, u qëllua për vdekje. Në shtator 2019, avokati i tij, Derk Ëiersum, u qëllua për vdekje. Në korrik 2021, gazetari Peter R de Vries, i cili ishte bërë këshilltar i tij, u qëllua për vdekje.

Taghi, i cili do ketë të drejtë për lirim me kusht pas 25 vjetësh, nuk ishte në gjykatë për vendimin. Tetë nga të pandehurit e tij ishin të pranishëm.

Gjykata kërkoi nga mediat që për arsye sigurie të mos përdorin emrat e gjyqtarëve.

Taghi njihet si aleat kryesor i Daniel Kinahan në ‘super kartelin’ evropian.

Daniel Kinahan

Pothuajse dy vjet më vonë, një tjetër burrë i konsideruar si aleati kryesor i Kinahan në superkartelin evropian, Raffaele Imperiale, u arrestua gjithashtu në Dubai.

Ndonëse kërkesa e parë për ekstradimin e bosit të mafias italiane u kundërshtua, ministri italian i Drejtësisë fluturoi në Dubai për t’u marrë personalisht me çështjen dhe ekstradimi eci përpara.

Taghi, Kinahan dhe Imperiale, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Itali, u emëruan nga autoritetet amerikane si figurat kryesore të një superkarteli me bazë në Dubai që qëndron pas rreth një të tretës së kokainës së importuar në Evropë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Irish Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani