Vendosni fjalën kyçe....

Sony do pushojë 900 vende pune te PlayStation, 8% të fuqisë punëtore


Gjiganti i elektronikës Sony njoftoi të martën se do shkurtojë 900 vende pune, ose 8% të fuqisë punëtore globale të PlayStation.

Pushimet nga puna do ndikojnë në gjitha rajonet për Sony Interactive Entertainment, sipas njoftimit për shtyp të PlayStation, me studion e saj në Londër, përgjegjëse për videolojën “Singstar”, që do mbyllet plotësisht.

“Këta janë njerëz jashtëzakonisht të talentuar që kanë qenë pjesë e suksesit tonë dhe ne jemi shumë mirënjohës për kontributin e tyre,” shkroi Jim Ryan, president dhe kreu ekzekutiv i Sony Interactive Entertainment.

“Megjithatë, industria ka ndryshuar jashtëzakonisht dhe ne duhet të përgatitemi në të ardhmen për të ngritur biznesin për atë që na pret”.

Pakësimi i fuqisë punëtore vjen pas uljes së parashikimeve të shitjeve të kompanisë për vitin ndërkohë që Naomi Matsuouka, zëvendëspresidente e lartë e Sony-t thase se konsola PlayStation 5 po i afrohej fundit të ciklit të saj të jetës, sipas Bloomberg.

Ryan kishte njoftuar tashmë në shtator planet për të dalë në pension në mars si president i Sony Group Corporation. Hiroki Totoki, kreu operativ dhe zyrtari kryesor financiar, do marrë frenat si kreu ekzekutiv i përkohshëm.

Në mënyrë të veçantë, industria e lojërave video ka parë hemorragji të vendeve të punës nga viti 2023 në këtë vit, me Epic Games që shkurtoi 830 vende pune shtatorin e kaluar dhe Tencent’s Riot Games që pushoi 11% të fuqisë punëtore në janar.