Një nxënës shkolle ka përfunduar një nga portretet e tij më të mëdha deri tani duke përdorur mbi 1500 kube Rubik, për t’i ngjasuar kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Sunak.
Henil Soni është një 11-vjeçar nga Essex, Angli, i cili e nisi pasionin me kubat e dorës kur ishte vetëm pesë vjeç, sipas mediave britanike.
Soni, i cili tani mund të zgjidhë enigmën e njohur të kubit Rubik në vetëm sekonda, po e çon talentin e tij në një shkallë më të lartë duke bërë portrete nga ngjyrat e kubit.
Në vetëm pesë ditë, ai ndërtoi një portret të kryeministrit Rishi Sunak të Mbretërisë së Bashkuar të përbërë nga 1,764 kube Rubik.
Nëna e fëmijës, Priyanka Soni, tha se djali i saj punonte në projekt për dy orë çdo ditë pas shkollës.
“Ai është shumë krenar për portretet e tij dhe ua tregon të gjithë miqve të tij në shkollë,” tha ajo.
Priyanka Soni tha se djali i saj zgjodhi kryeministrin Sunak sepse ai është një fytyrë e njohur dhe është simbol i vendlindjes së familjes.
35-vjeçarja nëna e dy fëmijëve tha se portreti ishte 1 metër katror por djali i saj ka shpresa shumë më të mëdha në të ardhmen.
Ajo tha se ai shpreson që një ditë të thyejë një Rekord Botëror Guinness duke krijuar një mozaik enigmë nga 2500 kube Rubik, shumica e të cilëve janë tashmë në shtëpinë e tyre.
“Ka tashmë 2,000 kube Rubik në shtëpinë time dhe askush nuk lejohet të shkojë në dhomë ku ndodhen në kohën kur Henil po ndërton me to,” tha ajo për SËNS.
Ajo shtoi: “Na është dashur të zhvendosim të gjithë divanet sepse portretet janë shumë të mëdha dhe nuk kemi hapësirë të mjaftueshme”.
Henil Soni shprehu gjithashtu interes për krijimin e një portreti 1 metër katror të Mbretëreshës Elizabeth II dhe një të kryeministrit indian Narendra Modi në të ardhmen.