Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet djali i kongresmenes amerikane, akuzohet lidhur me një varg vjedhjesh


Kongresmenia Lauren Boebert

Djali i madh i deputetes republikane Lauren Boebert, u arrestua të martën pasi u raportuan disa vjedhje pronash në Rifle, Kolorado, tha policia.

Tyler Jay Boebert, 18 vjeç, përballet me pesë akuza për krime dhe më shumë se një duzinë veprash kundërvajtëse në lidhje me një varg të fundit shkeljesh ligjore për drejtimin e mjetit dhe vjedhjeve të pronave, tha policia.

Ai akuzohet për katër akuza për posedim kriminal të dokumenteve të identitetit që u përkasin personave të tjerë, një akuzë për komplot për kryerjen e një vepre penale dhe “mbi 15 kundërvajtje shtesë dhe vepra të vogla”, tha departamenti.

“Ky është një hetim në vijim, asnjë informacion i mëtejshëm nuk do jepet në këtë çast,” tha policia, duke shtuar se të gjithë të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm derisa të provohet fajësia në një gjykatë.

E kërkuar për koment, kongresmenia Boebert tha: “Unë e dua djalin tim Tyler, i cili ka kaluar nëpër disa sfida shumë të vështira publike për një djalë të ri. Më thyhet zemra të shoh fëmijën tim duke luftuar dhe në këtë gjendje, veçanërisht kur atij i janë ofruar mundësi të shumta për të vendosur jetën e tij në rrugën e duhur”, tha ajo në një deklaratë për Fox News Digital.

“Unë kurrë nuk do të heq dorë prej tij dhe do të vijoj të jem pranë tij. Si një i rritur dhe baba, Tyler do marrë përgjegjësinë për veprimet e tij dhe duhet të mbahet përgjegjës për vendimet e këqija ashtu si çdo qytetar tjetër.”

Boebert, 37 vjeç, njoftoi vitin e kaluar se djali i saj Tyler, atëherë 17 vjeç, lindi një djalë me të dashurën e tij, duke e bërë atë gjyshe.