Presidenti i SHBA-së Joe Biden është “i aftë për detyrën”, tha mjeku i tij të mërkurën pas një kontrolli rutinë vjetor mjekësor që me siguri do të jetë fokusi i shqyrtimit intensiv në drejtim të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
“Presidenti ndihet mirë dhe vizita e këtij viti nuk identifikoi shqetësime të reja. Ai vazhdon të jetë i aftë për detyrën dhe i kryen plotësisht të gjitha përgjegjësitë e tij pa asnjë përjashtim apo çrregullim,” shkroi Dr. Kevin O’Connor në një letër të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Biden, 81 vjeç, shkoi për testim të mërkurën në Qendrën Mjekësore ‘Ëalter Reed’, Maryland, në atë që ishte një vizitë e paparalajmëruar më parë.
Kushtet mjekësore të zbuluara më parë të presidentit, të cilat përfshijnë refluksin gastrointestinal, fibrilacionin atrial jo-valvular dhe apnenë e gjumit, “mbeten të qëndrueshme dhe nën kontroll”, shkroi O’Connor.
“Presidenti Biden është një mashkull i shëndetshëm, aktiv, i fuqishëm, 81-vjeçar, i cili mbetet i aftë për të kryer me sukses detyrat e Presidentit, përfshirë ata si Shef Ekzekutiv, Kreu i Shtetit dhe Komandant i Përgjithshëm”, shkroi ai.
O’Connor tha se ai kërkoi reagime nga “kolegët e tij të respektuar” përpara se të publikonte raportin e tij mbi shëndetin e presidentit.
Raporti vjen tre javë pasi këshilltari special Robert Hur vendosi të mos ndiqte akuzat kundër Biden për keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara. Por duke bërë këtë, Hur hodhi publikisht dyshime mbi mprehtësinë mendore të presidentit.
“Kujtesa e Biden ishte dukshëm e kufizuar”, shkroi Hur në raportin e tij.