Vendosni fjalën kyçe....

“Rrezikohet luftë bërthamore me Perëndimin” – Putin mesazh deputetëve në fjalimin vjetor (Pikat kryesore)


Presidenti rus Putin dha mesazhin vjetor drejtua Asamblesë Federale, legjislaturës kombëtare të Rusisë. Fjalimi në ‘Gostiny Dvor’ në qendër të Moskës vjen pak më shumë se dy javë përpara votimit presidencial në Rusi, ku Putin kandidon për t’u rizgjedhur.

Përafërsisht një mijë persona ishin ftuar, përfshirë ligjvënës nga Duma e Shtetit dhe Këshilli i Federatës, ministra të qeverisë, guvernatorë, udhëheqës fetarë, diplomatë të huaj dhe gazetarë.

Më poshtë janë pikat kyçe të fjalimit të Putinit

“Disa vende po shkatërrojnë standardet morale dhe po i shtyjnë popujt e tyre drejt zhdukjes, por Rusia zgjedh jetën,” tha Putin.

“Rusia ka qenë dhe mbetet një kështjellë e vlerave tradicionale dhe zgjedhja e saj po përqafohet nga njerëzit në mbarë globin, duke përfshirë edhe Perëndimin,” këmbënguli ai.

Një familje me shumë fëmijë duhet të kthehet e zakonshme në Rusi, tha presidenti, duke shtuar se vendi duhet të synojë të arrijë një rritje të qëndrueshme të lindshmërisë në gjashtë vitet e ardhshme.

Moska është e gatshme për dialog me Uashingtonin për stabilitetin strategjik, por vetëm nëse merren parasysh interesat ruse, tha Putin.

“Nëse doni të diskutoni çështjet e sigurisë dhe stabilitetit që janë të rëndësishme për të gjithë planetin, atëherë është e nevojshme ta bëni këtë në një mënyrë të plotë, sigurisht, duke përfshirë të gjitha aspektet që prekin interesat tona kombëtare dhe ndikojnë sigurinë e Rusisë”, theksoi ai.

Sipas tij, SHBA është fajtore për “hipokrizi” duke propozuar bisedime për stabilitetin strategjik, ndërsa në të njëjtën kohë përpiqet t’i shkaktojë një disfatë Rusisë.

Putin paralajmëroi se pasojat e ndërhyrjeve të mundshme në Federatën Ruse do të ishin shumë më tragjike se në epokat e mëparshme.

“Përpjekjet për një ndërhyrje të re në Rusi kërcënojnë një konflikt në shkallë të gjerë me përdorimin e armëve bërthamore”, tha ai.

Putin njoftoi planet për të forcuar Forcat e Armatosura Ruse në perëndim të vendit pas pranimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO.

“Kundërshtarët rusë duhet të kujtojnë se kemi armë të afta për të goditur objektivat në territorin e tyre,” tha ai.

Aftësitë e ushtrisë ruse janë rritur “shumëfish” në mes të konfliktit me Ukrainën, tha Putin.

“Njësitë tona po e mbajnë me vendosmëri nismën. Ata po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme në një sërë drejtimesh operacionale, duke çliruar territore të reja”, shtoi ai.

“Nuk jemi ne që e filluam këtë luftë në Donbas… por ne do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund, për të zhdukur nazistët,” tha Putin.

Rusia po zhvillon “një luftë të drejtë” për sovranitetin dhe sigurinë e saj, tha Putin. “Ne nuk do të lejojmë askënd të ndërhyjë në punët tona të brendshme”, shtoi ai.

“Ne do të përcaktojmë rrugën tonë dhe do i mbrojmë traditat tona. Do i zgjidhim problemet bazuar në botëkuptimin tonë.”

Perëndimi synonte t’i bënte Rusisë atë që i bëri Ukrainës dhe shumë kombeve të tjera – ta kthente atë në një shtet të dështuar dhe të falimentuar, pohoi Putin.

“Perëndimi, i cili ka zakone koloniale dhe është mësuar të ndezë konflikte kombëtare në gjithë botën, ka synime që shkojnë përtej ngecjes së zhvillimit tonë,” i tha udhëheqësi rus Asamblesë Federale.

“Në vend të Rusisë, ata duan një hapësirë ​​të varur, të vyshkur, të ngordhur, boshe, ku mund të bëjnë çfarë të duan,” shtoi ai.