Autori i plagosjes së një shtetasi mbrëmjen e shkuar në Krujë është vetëdorëzuar në policinë lokale të qytetit. Shtetasi Perlat Merlika, 43-veç, u arrestua nga efektivët e policisë pas dorëzimit, ndërsa një natë më parë plagosi me armë zjarri shtetasin Artan Goga pronar i një pike shitje makinash, pas një konflikti banal.
“Ditën e sotme, është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Krujë dhe u arrestua shtetasi P. M., 43 vjeç, banues në Krujë. Ky shtetas, ditën e djeshme, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. G., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”, sqaroi policia.
Autori dhe i plagosuri kanë debatuar në një lokal në lagjen ‘Zim Zeneli’ të Krujës ku po zhvillohej një lojë tavëll, dhe i plagosuri ka goditur autorin, i cili pasi kanë dalë nga lokali ka qëlluar në drejtim të mikut të tij një herë me pistoletë.