Euroizimi i kredisë për ekonominë pësoi rënie të ndjeshme vitin e kaluar.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2023 kredia në valutë të huaj përbënte 47.1% të portofolit total të sektorit bankar.
Krahasuar me një vit më parë, pesha e kredisë në valutë të huaj ka rënë me pothuajse pesë pikë përqindje. Kjo shënon edhe rënien më të madhe të peshës së kredisë në valutë në harkun e një viti, që nga nisja e strategjisë së deeuroizimit nga Banka e Shqipërisë, në vitin 2017.
Treguesi i kredive në valutë në raport me totalin e kredive ka shënuar rënie për pjesën më të madhe të bankave të sistemit, me përjashtim të dy prej tyre. Krahasuar me fundin e dhjetorit 2016, ky tregues është ulur për 10 nga 11 bankat e sistemit.
Teprica e kredive në valutë të pambrojtura nga kursi i këmbimit, ku kreditë në euro zënë rreth 91%, ka shënuar rënie të mëtejshme të peshës ndaj totalit të kredive në valutë. Në fund të dhjetorit 2023, këto kredi shënuan 25.7% të kredive në valutë, ose 12% të totalit të kredisë. Në terma absolutë vërehet një rënie me 8.6% e kredive të pambrojtura ndaj kursit të këmbimit krahasuar me fundin e vitit 2022. Megjithatë, Banka e Shqipërisë thekson se kjo rënie e ndjeshme reflekton edhe disa ndryshime strukturore në klasifikim nga një numër i vogël bankash, e lidhur kjo me strategjinë e brendshme të bankave.
Kreditë e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, domethënë rastet kur të ardhurat e subjektit huamarrës janë në monedhë të ndryshme nga monedha e dhënies së kredisë, janë ato me profilin më të lartë të rrezikut. Për këtë arsye, ky tregues mbart një rëndësi të veçantë në monitorimin e masave të uljes së euroizimit.
Në fund të gjashtëmujorit të dytë 2023, treguesi që mat peshën e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave shënoi nivelin 54.3%. Niveli i raportit pësoi me 0.7 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Shpërndarja sipas bankave e peshës së depozitave në valutë të huaj luhatet mes niveleve 47.15% deri në 59.52%. Rezulton se 10 nga 11 bankat që operojnë në sistemin bankar regjistrojnë një vlerë të këtij treguesi mbi 50%, e cila potencialisht i bën ato subjekt të normës së rezervës së detyrueshme prej 20%.
Treguesit e monitoruar nga Banka e Shqipërisë janë raportuar të zhveshur nga efekti i luhatjeve në kursin e këmbimit të monedhës kombëtare ndaj monedhave kryesore të huaja.
Në analizën periodike të ecurisë së treguesve që janë objekt i strategjisë së deeuroizimit, Banka e Shqipërisë vlerëson se këta tregues kanë lëvizur në kahun e duhur për të arritur objektivat e synuar nga masat e uljes së euroizimit, ndonëse madhësia e ndryshimit është relativisht e vogël. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri nxjerr në pah nevojën për ruajtjen e një fokusi afatgjatë në vlerësimin e efekteve të masave të uljes së euroizimit dhe larminë e faktorëve ekonomikë e socialë që mund të ndikojnë ecurinë e treguesve të përzgjedhur.
Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023, mbiçmimi i lekut ndaj valutave kryesore ka qenë i ndjeshëm dhe më i shpejtë se në periudhat e mëparshme. Megjithatë, edhe kur korrektohen për këtë ecuri të kursit të këmbimit, ecuria e treguesve që monitorohen për të vlerësuar efektet e masave të deeuroizimit ka qenë përgjithësisht në përputhje me objektivat e synuar.
“Ndryshimet strukturore në ekonomi gjatë viteve të fundit, ku veçohet rritja e fortë e të ardhurave nga turizmi dhe zhvillimet inflacioniste, janë shoqëruar me ndryshime të politikave ekonomike dhe monetare, si dhe të sjelljes së agjentëve të ekonomisë reale. Për këto arsye, dallimi i efekteve që lidhen ngushtë me masat e deeuroizimit, mbetet një proces i vështirë.
Gjithsesi, këto masa kanë efekt frenues në ecurinë e euroizimit dhe në mungesë të tyre madhësia e lëvizjes së ndonjërit prej treguesve, apo edhe kahu i saj, do të ishte i ndryshëm,” thuhet në analizën e Bankës së Shqipërisë.
Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë nënshkroi një memorandum me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyjres Financiare, me qëllim zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.
Deri tani vetëm Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa rregullatore konkrete, që tentojnë të rrisin përdorimin e monedhës vendase në sektorin bankar. Këto masa tentojnë të rrisin kostot e ndërmjetësimit financiar në valutë dhe paralelisht ti ulin ato për lekun. Por, deri tani, efekti i këtyre masave ka qenë modest dhe euroizimi i sistemit financiar ngelet i lartë, duke ndjekur tendencat e ekonomisë reale. /E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor