Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Bojkotimi i qëllimshëm i reformës në funksion të projektit centralizues të Edi Ramës, një dramë


Duke e quajtur totalisht të dështuar reformën administrativo-territoriale të vitit 2015 të cilën e votoi me të 16 deputetët e tij në atë kohë, kryetari i Partisë Ilir Meta fajin e shikon serish te Lulzim Basha.

‘Situata është dramë e jashtëzakonshme. Drama vjen nga bojkotimi i qëllimshëm i reformës në funksion të këtij projekti centralizues të Edi Ramës.  Unë kam qenë kryetar kuvendi, reforma nuk kalonte kurrë pa 84 vota, PS kishte vetëm 65 vota, unë e kisha kusht që opozita të sillte një alternativë të saj, që sigurisht Edi Rama nuk e donte. Kjo platformë nuk erdhi kurrë. Pastaj kemi bojkotin e zgjedhjeve vendore.’– tha Meta.

Në tryezën e organizuar nga Partia e Lirisë me temë qeverisjen vendore, Meta tha se edhe pas 10 viteve të reformës, akoma nuk janë krijuar disa standarde minimale të shërbimeve ndërsa paralajmëroi se do të propozohet një paketë ligjore.

Vendosjen me ligj të referendumeve lokale si zgjidhje për të gjitha çështjet që cenojnë autonominë e pushtetit lokal dhe përmirësojnë standardin e jetesës të qytetareve.  Rishikim i legjislacionit për të forcuar autonominë vendore, duke u dhënë atyre më shumë fuqi për të vendosur për politikat e tyre fiskale dhe për të menaxhuar të ardhurat dhe shpenzimet në mënyrë më efikase.  Propozimi për një reformë që rishikon dhe zgjeron rolin dhe kompetencat e Këshillave të Qarqeve, duke i bërë ato më relevante në kontekstin e decentralizimit dhe zhvillimit rajonal për te mare një rol proaktiv në hartimin e strategjive rajonale të zhvillimit që përfshinë më shumë se një bashkisë”,- u shpreh Meta.

Në tryezën e diskutimit të Partisë së Lirisë  ishin të pranishëm disa të zgjedhur vendorë të opozitës, deputetë dhe njohës të çështjeve të pushtetit vendor.