Vendosni fjalën kyçe....

Një vështrim i hollësishëm brenda programit të Shtëpisë së Bardhë për të shpërndarë inteligjencën e SHBA-së


Pasditen e 27 shtatorit, një ekspert i Ballkanit në Shtëpinë e Bardhë mori një telefonatë shqetësuese nga një agjenci e inteligjencës amerikane.

Forcat serbe po grumbulloheshin përgjatë kufirit të vendit të tyre me Kosovën, ku NATO-ja ka mbajtur një paqe të trazuar që nga lufta e përgjakshme e shkëputjes në vitin 1999.

Tri ditë më herët, më shumë se dy duzina serbë të armatosur kishin vrarë një polic kosovar në një sulm të mirëorganizuar. Tani Serbia po vendoste armatim të rëndë dhe trupa në kufi.

“Ne ishim shumë të shqetësuar se Serbia mund të përgatitej për të nisur një pushtim ushtarak,” tha një zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC).

Pyetja ishte çfarë të bëhej për këtë. Muaj tensionesh në rritje në një cep të largët të Evropës Juglindore nuk kishin marrë shumë vëmendje në media.

Përpjekjet diplomatike të Britanisë së Madhe, Italisë dhe vendeve të tjera me trupa në terren në Kosovë nuk kishin arritur të qetësonin gjendjen. Në Uashington, vëmendja u përqendrua te kaosi në Kongres; në pjesën më të madhe të Evropës, prioriteti kryesor ishte ndarja rreth mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën.

Si pjesë e një përpjekjeje për t’i bërë presion Serbisë që të tërhiqet, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan miratoi një kërkesë nga ekipi i tij në Evropë për të deklasifikuar për publikim elementët e dislokimit të trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën.

Drejtoria e Inteligjencës NSC redaktoi hollësitë sekrete të grumbullimit për të errësuar burimet dhe metodat që kishin siguruar inteligjencën. Më pas e dërgoi kërkesën në zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) në Virxhinian Veriore përmes emailit të klasifikuar.

Më 29 shtator, pas një përleshjeje dyditore për të lejuar deklasifikimin, zëdhënësi i NSC-së John Kirby bëri një telefonatë të paplanifikuar në Zoom me anëtarë të trupit të shtypit të Shtëpisë së Bardhë.

Kirby dha informacione të reja për sulmin e 24 shtatorit ndaj oficerit të policies së Kosovës dhe dha lajmin për dislokimin e fundit serb, duke zbuluar se ai përfshinte artileri të rëndë moderne, tanke dhe njësi të mekanizuara të këmbësorisë.

Ndërsa mbulimi u rrit, vendet evropiane iu bashkuan SHBA-së në ushtrimin e presionit të ri diplomatik ndaj serbëve dhe Mbretëria e Bashkuar njoftoi një dislokim shtesë të trupave në Kosovë. Brenda pak ditësh, trupat serbe po tërhiqeshin.

Majtas drejtori i CIA-s, Burns, në mes kreu i NSA-së Sullivan, djathtas drejtpresha e NI-së Haines

Deklasifikimi dhe publikimi i lëvizjeve të trupave serbe është një shembull i një qasjeje të re të Shtëpisë së Bardhë për përdorimin e inteligjencës që është rritur nga reagimi i SHBA-së ndaj luftës në Ukrainë.

Duke filluar nga vjeshta e vitit 2021, ndërsa agjentët sekretë amerikanë u bindën se Rusia po përgatitej të pushtonte Ukrainën, Sullivan punoi me Drejtoren e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines dhe drejtorin e CIA-s Ëilliam Burns për të “zbutur” hollësitë e klasifikuara të lëvizjeve të Moskës.

“Ne e kishim këtë informacion shqetësues,” thotë Maher Bitar, bashkërendues i NSC-së për inteligjencën dhe politikën e mbrojtjes, “dhe ne duhej të zbulonim herët se çfarë do bënin rusët.”

Më shumë se dy vjet më vonë, Shtëpia e Bardhë ka ndërtuar një program të gjerë për të ndarë sekretet kur i shërben qëllimeve strategjike.

Rreth një herë në javë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë shohin inteligjencën që duan ta bëjnë publike dhe të marrin miratimin nga Sullivan për ta provuar, thonë për TIME më shumë se dhjetëea zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe të sigurisë kombëtare.

Zyrtarët e inteligjencës në NSC i dërgojnë kërkesa ODNI-së, e cila i përpunon ato, duke rënë dakord për një gjuhë të spastruar me ata që krijuan sekretet në fillim.

“Vendimi përfundimtar nëse do ndizet drita jeshile apo e kuqe për një pjesë të caktuar të informacionit varet nga profesionistët në komunitetin e inteligjencës,” thotë Sullivan.

Motivimi pas programit, thonë zyrtarët, është se ai funksionon. Deklasifikimi strategjik i ka mohuar presidentit rus Vladimir Putin “narrativat e rreme”, tha Burns në një fjalim verën e kaluar, “duke e vënë atë në pozicionin e pakëndshëm dhe të pamësuar të të qenit të kërcënuar”.

Përpjekja është zgjeruar përtej Rusisë. SHBA-ja ka deklasifikuar inteligjencën për të zbutur sulmet kineze në ngushticën e Tajvanit, për t’i bërë presion Iranit që të ndalojë furnizimin me armë për Houthi-t që sulmojnë anijet tregtare në Detin e Kuq dhe për të kundërshtuar pretendimet e rreme të Hamasit për sulmet izraelite. “Ky është një ndryshim i lojës,” thotë Kirby.

“Shpresoj që ata të mos e tërheqin sërish këtë gjë.”

Policët e Kosovës pas sulmit pranë kufirit me Serbinë në shtator 2023

SHBA-ja ka deklasifikuar dhe nxjerrë në mënyrë të përzgjedhur inteligjencë që prej kohës që  e ka grumbulluar, por programi i ndarjes së sekreteve të administratës Biden është i ri në disa mënyra, thonë zyrtarë të tanishëm dhe ish-zbulues.

Aty ku dikur ODNI merrte një ose dy kërkesa në muaj, tani ndonjëherë merr shumë më tepër se kaq në një ditë. Ndërsa agjencitë e tjera janë futur në lojën e deklasifikimit, pjesa më e madhe e punës është larguar nga Shtëpia e Bardhë.

Në vend që të zbulojnë informacione të njëpasnjëshme të inteligjencës, zyrtarët e NSC-së kombinojnë sekrete të shumta me inteligjencë me burim të hapur nga pamjet satelitore, blogerët e fushëbetejës dhe raportet e lajmeve, duke shpërndarë paketa që i bëjnë jehonë raporteve të përfunduara të inteligjencës që marrin çdo mëngjes.

“Është bërë pjesë-pjesë gjatë viteve”, thotë ish-zëdhënësi i CIA-s, Bill Harloë.

“Këtë herë është më strategjike dhe e orkestruar.”

Jo të gjithë mendojnë se kjo është një gjë e mirë. Skeptikët tregojnë për historinë e qeverisë amerikane të inteligjencës së përzgjedhur për të mashtruar të huajt dhe amerikanët, gjatë Luftës së Ftohtë dhe për të justifikuar pushtimin e Irakut në vitin 2003.

Anëtarët e komunitetit të inteligjencës amerikane, gjithmonë duke mbrojtur sekretet e tyre, duan ta kufizojnë programin në konfliktin në Ukrainë. Disa në të dyja palët shqetësohen se një përpjekje propagandistike e drejtuar nga Shtëpia e Bardhë mund të përdoret për përfitime personale ose politike.

“Tani ne kemi këtë armë deklasifikimi që, e vënë në duar të gabuara, është shumë e rrezikshme”, thotë një ish-zyrtar i CIA-s.

Por bota e sekreteve po ndryshon dhe Amerika po përpiqet të përshtatet. Rusia e ka rafinuar operacionin e saj të propagandës së mediave sociale në mënyrë kaq agresive që nga viti 2016, saqë beson se vetëm 1% e ushtrisë së saj të ‘karremeve’ zbulohet në platforma si X dhe TikTok, sipas një dokumenti të inteligjencës amerikane të publikuar vitin e kaluar nga Washington Post.

Kina po përdor Inteligjencë Artificiale të përparuar në operacionet e saj propagandistike, tha në një raport të fundit ‘Rand Corp’. Ndarja e sekreteve të Amerikës me vendet e tjera përpara se armiqtë të përpiqen të ndikojnë dhe të minojnë demokracitë, thonë avokatët, është një nga mënyrat më të mira për të luftuar. “Kemi mësuar se mund ta mposhtni një gënjeshtër nëse e dini se po vjen,” thotë Kirby.

“Ne po u dalim përpara duke i zbuluar.”

Në të njëjtën kohë, përhapja e informacionit të klasifikuar do të thotë se sekretet e Amerikës vlejnë më pak se sa kanë qenë – dhe janë më të vështira për t’u mbajtur.

Komuniteti i inteligjencës amerikane thith ekuivalentin e 29 petabajtëve ose 500 miliardë faqe informacione çdo ditë, klasifikon dhjetëra miliona dokumente në vit dhe prodhon rreth 50,000 raporte të klasifikuara çdo vit, sipas Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Arkivave Kombëtare dhe raportimit publik.

Të akuzuarit që zbuluan masën, Edëard Snoëden dhe piloti Jack Teixeira, ishin të dy punonjës të IT-së të punësuar për të menaxhuar atë oqean inteligjence. Presidentët Joe Biden dhe Donald Trump janë përballur me hetime të këshilltarëve specialë për trajtimin e tyre të ngathët të informacionit të klasifikuar.

Përpjekja e Amerikës për të ruajtur në mënyrë të sigurt miliarda sekrete po dështon nga maja e zinxhirit të inteligjencës deri në fund. Siç tha gjykatësi Potter Steëart në çështjen ‘Pentagon Papers’: “Kur gjithçka klasifikohet, atëherë asgjë nuk klasifikohet, dhe sistemi bëhet i tillë që të shpërfillet nga cinikët ose të pakujdesshmit dhe të manipulohet nga ata që synojnë të mbrojnë ose promovojnë veten.”

Rezultati është një përzierje e helmët e skepticizmit publik dhe sigurisë së zvogëluar. Pjesa e amerikanëve që besojnë se komuniteti i inteligjencës respekton privatësinë dhe liritë e tyre civile ra nga 52% në 2020 në 44% në 2022, sipas një sondazhi të Universitetit të Teksasit.

Pas zbulimeve të abuzimit nga FBI, Kongresi po përpiqet të rinovojë programin e diskutueshëm të seksionit 702 të mbikëqyrjes masive që qeveria thotë se është thelbësor për të luftuar çdo gjë, nga trafikimi i fentanilit te terrorizmi e deri te spiunët kinezë.

Në programin e saj të deklasifikimit, Shtëpia e Bardhë mendon se ka fillimin e një përgjigjeje për të tre problemet: dezinformimin, mbiklasifikimin dhe mosbesimin e publikut.

“Kjo është një 1, 2, 3 mjaft e mirë nga këndvështrimi im,” thotë Sullivan për TIME.

Ai shton: “Natyrisht, kjo qasje do duhet të zhvillohet me kalimin e kohës ndërsa mësojmë më shumë.” Historia se si administrata Biden zhvilloi programin e saj të ndarjes së sekreteve dhe kërkimi se si ta përdorë atë në mënyrë të sigurt, tregon se sa larg duhet ende të shkojë qeveria e SHBA-së.

Një tank rus i goditur nga forcat ukrainase në shkurt 2022

Objektivi i parë i përpjekjeve të gjurmuesve amerikanë të sekreteve ishte Vladimir Putin.  Në mes të tetorit 2021, udhëheqës të lartë të sigurisë kombëtare informuan Presidentin Biden, Sullivan dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë se Rusia po përgatitej të pushtonte Ukrainën.

Reagimi i parë i Sullivan ishte befasi. E dyta ishte të gjente një mënyrë për ta penguar atë. Biden vendosi të dërgojë Burns, një diplomat me përvojë dhe ish-ambasador në Rusi, për t’u përballur me Putinin.

“Ne donim t’u tregonim rusëve se ishim në dijeni të planit të tyre për të nisur një pushtim të Ukrainës, në mënyrë që t’i nxirrnim gafil nga ideja se ata mund të kishin elementin e befasisë,” thotë Eric Green, atëherë drejtor i lartë për Rusinë dhe Azinë Qendrore në NSC.

“Por ne gjithashtu donim të siguroheshim se ajo që Ëilliam Burns zbuloi, nuk donxirrte zbuluar burimet dhe mënyrat.”

 Rezultati ishte një “zbutje” ose deklasifikimi i pjesshëm i informimit që kishin marrë Sullivan dhe zyrtarët e lartë amerikanë, kujton Green.

Burns u përball me Putinin nga distanca në fillim të nëntorit, duke e kontaktuar atë me telefon në qytetin turistik të Soçit nga zyra në Moskë e këshilltarit të politikës së jashtme të presidentit rus.

Shefi i spiunazhit të SHBA-së u largua nga Rusia me ndjenjën se nuk kishte bërë asnjë përparim. Hapi tjetër ishte përpjekja për të bashkuar aleatët e Amerikës pas përpjekjes për të penguar një pushtim të Ukrainës.

Gjatë kthimit nga Rusia, ekipi amerikan informoi BE-në dhe partnerët e NATO-s me një paraqitje më të hollësishme të inteligjencës. Evropianët ishin skeptikë.

Francezët, gjermanët dhe të tjerët thanë: “Ju djema gjithmonë reagoni me tepri ndaj këtyre gjërave. Rusia ka shumë për të humbur”, thotë një zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane. Pasi dëgjoi dyshimet evropiane, Haines kujtoi në një intervistë të vitit 2023 me Politico me Biden që tha: “OK, duhet të nisni nga puna. Ne duhet të fillojmë të ndajmë inteligjencën.”

Në krye të përpjekjes ishin Sullivan dhe zëvendësi i tij në NSC, Jon Finer. Ish-gazetarët vlerësojnë më shumë se disa vlerën e të qenit të parët.

“Kishte një ndjenjë se duke e bërë atë në mënyrë proaktive ne do kishim më shumë ndikim mbi narrativën,” thotë Green, i cili gjithashtu pa një element moral të vendimit: “Kjo ishte një mundësi kaq monumentale saqë ne kishim për detyrë të informonim publikun.”

Ndërsa Green shton: “Nëse do ta mbanim të fshehtë dhe më pas do dilte se e dinim, kjo do sillte një gjendje e paqëndrueshme.”

Grupi vendosi të deklasifikojë provat se trupat ruse po grumbulloheshin pranë kufijve të Ukrainës. Ata gjetën foto satelitore që tregonin të njëjtat grumbullime trupash që kishin parë në platformat e spiunazhit të SHBA-së.

Ata i përzien ato pamje me disa nga hollësitë e konferencës që i kishin befasuar, si dhe me raportet e lajmeve dhe informacione të tjera publike, dhe punuan me komunitetin e inteligjencës për të prodhuar një version të deklasifikuar.

Ata më pas ia dhanë paketën Shane Harris, një gazetare veterane e inteligjencës në Washington Post. Më 3 dhjetor, WP publikoi shkrimin. Mediat e tjera nxituan për të mbuluar grumbullimin e trupave. Megjithëse rusët mohuan se po përgatiteshin për luftë, biseda publike për mundësinë e një pushtimi u zhvendos. Nga optika e NSC-së, lëvizja ishte një sukses.

Sullivan merr pyetje në Shtëpinë e Bardhë përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia

Ata vendosën të bëjnë më shumë. Në janar, inteligjenca amerikane pa përgatitje në rritje për një operacion fals që Moska synonte ta përdorte si justifikim për një pushtim.

Rusia po përgatitej të organizonte një sulm në Ukrainën lindore separatiste, të kompletuar me filmime të viktimave të rreme, njoftoi komuniteti i inteligjencës.

Pas lëshimit të një paralajmërimi të përgjithshëm, NSC përgatiti një paketë më të hollësishme dhe e lejoi atë të publikohej. Më 3 shkurt, atëherë Sekretarja eSshtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki dhe më pas zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price informuan gazetarët mbi komplotin.

Jo të gjithë ishin të bindur. “Çfarë provash keni për të mbështetur idenë se është duke u bërë ndonjë film propagandistik?” pyeti Matt Lee, korrespondenti i Departamentit të Shtetit në AP.

Price, duke iu përmbajtur fjalëve të tij, e përsëriti pretendimin pa dhënë prova të mëtejshme. Polemika u bë virale dhe theksoi sfidat e qasjes.

Deklasifikimi do funksiononte, përfundoi NSC-ja, nëse do kishte besueshmëri të mjaftueshme për të kapërcyer historinë e SHBA-së për keqpërdorimit të inteligjencës dhe propagandës.

Siç doli, rusët e zhvilluan operacionin fals gjithsesi. Më 18 shkurt, një shpërthim tronditi rajonin pro-rus separatist të Donetskut dhe liderët vendas atje i bënë thirrje Moskës që të ndërhynte ushtarakisht. Por në sfondin e konferencave të Shtëpisë së Bardhë, preteksti rus nuk dha asnjë mbulesë diplomatike. Sipas disa llogarive, nxjerrja e lajmit vonoi pushtimin rus.

“Ne e dimë se na ka dhënë të paktën një javë kohë,” thotë Kirby.

Por nuk e pengoi. Tanket ruse kaluan kufijtë e Ukrainës në fund të shkurtit 2022, duke rrëmbyer pjesë të territorit në lindje të vendit dhe duke arritur disa kilometra larg pallatit presidencial në Kiev. Në Uashington, shpërndarësit e sekretit zgjeruan përpjekjet e tyre.

Burns, Sullivan dhe Haines në ndërtesën e Zyrës Ekzekutive Eisenhower në Virxhinia në shkurt 2024

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare e ka selinë në një kompleks periferik në Virxhinian veriore i njohur si ‘Liberty Crossing’. Dy ndërtesa të mëdha prej çeliku dhe qelqi në format e gërmave ‘L’ dhe ‘X’ janë të fshehura pas një argjinature, një strehe me pemë dhe postblloqeve të sigurisë.

Që nga viti 2008, kompleksi ka strehuar organizatën ombrellë të komunitetit të inteligjencës, e krijuar pas 11 shtatorit për të menaxhuar 18 agjencitë ndonjëherë konkurruese, shpesh territoriale, që mbledhin dhe analizojnë sekretet e Amerikës.

Në hollin dykatësh të ndërtesës në formë ‘L’, radhët e pengesave të sigurisë dhe gabinat e ashensorit me tavan të ulët të çojnë në zyrën që merret me menaxhimin e informacionit për komunitetin e inteligjencës.

Nuk është e madhe: më pak se 10 zyrtarë janë caktuar në punë. Kërkesat për deklasifikim që ata paraqitën në prag të pushtimit rus filluan si email në rrjetin e klasifikuar, kryesisht nga Biden, Sullivan dhe Shtëpia e Bardhë, dhe u rritën duke përfshirë peticione nga agjenci dhe departamente të tjera. ODNI nuk pranoi të thoshte se sa prej kërkesave janë për qëllime jopublike ose të fshehta dhe sa janë për deklasifikim të plotë dhe publikim zyrtar.

Për të ndihmuar në trajtimin e numrit të madh të kërkesave, NSC organizoi procesin e tij. “Uljet në shkallë” të propozuara duhej të përmbushnin disa objektiva strategjikë.

Në rastin e Ukrainës, thotë Kirby, ato duhej të mbështesnin suksesin e Kievit në fushën e betejës, të forconin NATO-n dhe të shmangnin tërheqjen e SHBA-ve drejtpërdrejt në luftë.

Inteligjenca e kërkuar duhej të bazohej në vlerësime me besim të lartë, jo në ato të ulëta ose të mesme që ishin rezultuar të rreme në Irak. Sullivan i miraton këto kërkesa në rreth dy të tretat e rasteve, sipas Kirby-t dhe zyrtarëve të tjerë të Shtëpisë së Bardhë.

Jo të gjithë ishin të etur për të ndihmuar. Zyrtarët nga të gjitha anët e procesit thonë se oficerët e inteligjencës që kishin klasifikuar sekretet në fillim nuk donin t’i deklasifikonin ato. Por te Haines, Sullivan kishte një aleat.

Një avokate dhe fizikane që dikur zotëronte një librari në Baltimore dhe kishte një hobi të rindërtonte gjithçka, nga televizorët tek avionët me dy motorë, ajo u bë zëvendëskryetare e CIA-s në vitin 2013.

“Duke pasur një sistem që mund të lehtësojë një ndarje të tillë.” ajo tha në janar 2023, “dhe në fund të kesh burimet për të rishikuar dhe ulur në shkallë, ose për të deklasifikuar atë që mund të publikohet, është tejet e rëndësishme”.

Me kalimin e kohës, ODNI krijoi një sistem për të shpejtuar përgjigjen dhe për të krijuar regjistrime si të kërkesës për deklasifikimin e inteligjencës, ashtu edhe të autorizimit të saj.

Shablloni përfshin datën e kërkesës, afatin, kush po kërkon uljen në shkallë të informacionit, kush do ta përdorë atë, cila do ishte gjuha e spastruar, nga erdhi informacioni i inteligjencës dhe justifikimi për deklasifikimin. Zakonisht kërkesa të tilla kërkojnë javë për t’u përpunuar. Tani shpejtësia varet pjesërisht nga sa e ndjeshme është inteligjenca, thotë një zyrtar i përfshirë në proces.

Në disa raste, miratimi shkoi deri te kreu i CIA-s Burns ose krerët e agjencive të tjera të inteligjencës. Shqetësimi më i madh ishte mbrojtja e burimeve dhe metodave. Shtëpia e Bardhë mësoi të mos kërkonte deklasifikimin e raporteve të plota dhe të përfunduara, në vend të kësaj të synonte fakte individuale, ose harta dhe grafikë.

“Ulja në shkallë strategjike duhej të nënkuptonte me të vërtetë diçka strategjike, thjesht nuk mund të ishte çdo pjesë taktike e inteligjencës që hasëm”, thotë Sullivan.

Me kalimin e kohës, thonë të përfshirët, drejtuesit e programeve në komunitetin e inteligjencës panë se si informacioni i tyre i dezinfektuar u përdor publikisht dhe u ble.

Kjo nënkuptonte gjithnjë e më shumë deklasifikim. Nga marsi i vitit 2022 e në vijim, SHBA-të lëshuan inteligjencën për mbështetjen e mundshme kineze për Rusinë, sulmet ruse kundër objekteve të magazinimit të Ukrainës, bllokadën detare të Rusisë në Detin e Zi dhe mbështetjen e Iranit dhe Koresë së Veriut për luftën.

Sekretet u kombinuan me informacione të disponueshme publikisht, sipas zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë, duke përfshirë të dhënat detare, pamjet satelitore dhe veprimtarinë e mediave sociale.

Gjatë rrugës, ekipi i NSC-së filloi të zgjeronte përdorimin e materialeve të deklasifikuara. Përpara vizitës së kryetares së atëhershme të Kongresit Nancy Pelosi në Tajvan në gusht 2022, Kirby informoi një analizë të deklasifikuar të komunitetit të inteligjencës për hapat që Kina mund të ndërmarrë në përgjigje të kësaj, duke përfshirë provokimet ushtarake, si gjuajtja e raketave në ngushticën e Tajvanit.

Qëllimi ishte të zvogëlohej vlera tronditëse e çdo hakmarrjeje nga Pekini për udhëtimin e Pelosit, thotë një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Një provë rakete kineze pas vizitës së Pelosit në Tajvan në gusht 2022

SHBA-ja ka përdorur gjithashtu deklasifikimin në luftën Izrael-Hamas. Shtëpia e Bardhë uli dy herë në shkallë inteligjencën në lidhje me atë që ata thanë se ishte përdorimi i Spitalit Al-Shifa në Gaza nga Hamasi si një qendër komanduese ushtarake “për të ndihmuar në të kuptuarit e njerëzve se si militantët e Hamasit janë ngulitur thellë brenda popullatës civile”, thotë një zyrtar i NSC-së i njohur me vendimin.

Në fund të dhjetorit, Shtëpia e Bardhë publikoi inteligjencën e zbutur duke pretenduar se Irani kishte transferuar drone dhe raketa lundruese te militantët Houthi në Jemen, që po përdoreshin për të sulmuar anijet në Detin e Kuq.

Edhe mbështetësit më entuziastë të programit pranojnë se rezultatet janë të përziera. Finer, zëvendësi i Sullivan-it, tha në një konferencë të inteligjencës në korrik se SHBA-të e kishin përdorur atë për të penguar me sukses marrëveshjet ruse të armëve me Kinën dhe Iranin dhe për të ndërtuar mbështetje për akuzat për krime lufte në Hagë ndaj Moskës.

Megjithatë, disa muaj informacionesh që synonin të pengonin transferimet e armëve nga Koreja e Veriut në Rusi dështuan, siç kanë dështuar edhe përpjekjet për t’i bërë presion Iranit që të ndërpresë mbështetjen ushtarake për Houthi-t.

Në fund të janarit 2023, Kirby mori një letër përmes korrierit që kishte vulën postare në Rrugën Peterburgu, Florida. Pasi u rrit në Shën Peterburg, Florida, ai mendoi se letra mund të kishte të bënte me shtëpinë që ai ende zotëron atje.

Por në një ekzaminim më të afërt, ai zbuloi se nuk kishte ardhur nga SHBA-ja juglindore, por nga Rusia veriperëndimore. Brenda zarfit ishte një shënim i shtypur. “I nderuar zoti Kirby, a mund të sqaroni ju lutem se çfarë krimi është kryer nga Grupi Ëagner?”

Letra ishte firmosur me dorë: “Yevgeny Prigozhin”.

Ky ishte një moment historik në betejën propagandistike SHBA-Rusi: Një shkëmbim i drejtpërdrejtë midis kundërshtarëve në hapësirën e informacionit. Prigozhin ishte kreu i Grupit Ëagner, i cili drejtonte një forcë mercenare ruse në terren në Ukrainë.

Vetëm disa ditë përpara se të merrte letrën e Prigozhinit, Kirby kishte njoftuar në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë se SHBA po e caktonte Grupin Ëagner si një organizatë kriminale ndërkombëtare dhe po vendoste sanksione ndaj grupit.

Para se të drejtonte grupin mercenar, një nga pretendimet e Prigozhin për famë ishte si operator global i dezinformimit. Në vitin 2016, ai organizoi ‘fermat kryesore të karremeve’ ruse që depërtuan në mediat sociale të SHBA-së gjatë zgjedhjeve presidenciale, pjesë e një fushate që shtyu propagandën te 126 milionë njerëz në Facebook, sipas kompanisë.

Departamenti i Drejtësisë paditi Prigozhinin për rolin e tij në skemë. Përgjigja e personalizuar e Prigozhinit ndaj përcaktimit kriminal të Grupit Ëagner forcoi ndjenjën e Shtëpisë së Bardhë se deklasifikimi i kishte dhënë SHBA-së një armë të re në betejën kundër propaganduesve rusë.

“Kjo tregoi se ne po futeshim brenda kokës së tij,” thotë Kirby.

Në mënyra të tjera, episodi nënvizon se sa larg SHBA-së ka mbetur në luftërat propagandistike. Që nga viti 2016, Moska ka zgjeruar dhe rafinuar përpjekjet e saj për të kontrolluar “mjedisin e informacionit” përmes propagandës së automatizuar.

Në fund të vitit 2022, “Qendra kryesore kompjuterike e Kërkimeve Shkencore” e Rusisë po përmirësonte rrjetin e saj të qindra mijëra robotëve të mediave sociale deri në pikën që ato u zbuluan në X, YouTube dhe TikTok më pak se 1% të rasteve, sipas një dokumenti tejet sekret të zbuluar nga Teixeira.

Nëse dëgjohen ‘luftëtarët’ e informacionit të Amerikës çfarë thonë, rreziku vetëm sa po rritet. Autokracitë si Irani, Koreja e Veriut dhe Kina kanë hyrë në lojë.

Udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, ka bërë thirrje për përdorim të zgjeruar të teknologjisë në kontrollin e opinionit publik ndërkombëtar dhe ushtria kineze ka hulumtuar përdorimin e Inteligjencës Artificiale gjeneruese dhe modele të mëdha gjuhësore për të automatizuar propagandën në shkallë të madhe, sipas një studimi të ‘Rand Corp’ të publikuar në shtator. Rezultati, shkruajnë studiuesit, mund të jetë “një rrjet masiv robotësh që duken dhe veprojnë si njerëzit”.

Askush nuk e di se sa efektive mund të jetë kjo propagandë e përmirësuar me AI (Inteligjenca Artificiale).

“Unë nuk mendoj se po ndryshon mendjen e shumë njerëzve, por edhe po përforcon atë që njerëzit tashmë mendojnë,” thotë James Steinberg, ish-zëvendës këshilltar për sigurinë kombëtare dhe dekan i ‘Shkollës Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare’.

Të tjerët janë më të alarmuar. “Ndërsa roli i AI-së në përcaktimin dhe formësimin e “hapësirës së informacionit” rritet,” shkruajnë ish-kreu i Google Eric Schmidt, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare Henry Kissinger dhe dekani i MIT (Massachusetts Institute of Technology) Daniel Huttenlocher në një libër të fundit, “perspektivat për shoqëri të lirë, madje edhe vullnetin e lirë mund të ndryshohen.”

Për studentët e abuzimit me inteligjencën qeveritare, rreziku i vërtetë është reagimi i tepërt. Ndërkohë që Sullivan, Burns dhe Haines shprehin fuqinë e deklasifikimit në luftën kundër dezinformimit autokratik, të tjerë shqetësohen për një operacion të bashkërenduar të shfrytëzimit të fshehtë në Shtëpinë e Bardhë.

Ne nuk duam të zbusim deklasifikimin,” thotë Mark Zaid, një avokat i specializuar në çështjet e sigurisë kombëtare, “por politizimi ose përdorimi si armë i inteligjencës është më i keq se në çdo moment të jetës sonë.”

Një dokument që tregon detaje të deklasifikuara të dislokimeve të trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën

Historia i mbështet shqetësime të tilla. Në Luftën e Ftohtë, SHBA-ja përdori inteligjencën e deklasifikuar për të mashtruar kundërshtarët dhe amerikanët, duke përfshirë atë kur zyrtarët pohuan se forcat ruse e dinin se po qëllonin në një avion civil kur rrëzuan Fluturimin 007 të ‘Korean Air Lines’ në vitin 1983.

Në fillim të viteve 2000, SHBA-ja deklasifikoi atë që doli të ishte inteligjencë false për programin e armëve të shkatërrimit në masë të Sadam Huseinit për të justifikuar pushtimin e Irakut. Së fundmi, operativët e kundërzbulimit të SHBA-së në FBI i dhanë besim një dosjeje jo të besueshme të mbledhur për Trump, më pas e informuan atë për të, duke i hapur rrugën botimit të saj.

Trump ka idetë e tij për përdorimet e deklasifikimit. Ai e filloi mandatin e tij duke zbuluar dy zyrtarë rusë sekretë, të dhënat mbi të cilët thuhet se janë mbledhur nga shërbimet e inteligjencës izraelite, për arsye që nuk u bënë kurrë të qarta.

Në vitin 2019, ai postoi në Twitter foto me rezolucion të lartë, të raportuara të marra nga një satelit spiun KH-11 shumë miliardë dollarësh, duke treguar një vendndodhje të dëmtuar të raketave iraniane. I akuzuar për marrjen e sekreteve shtetërore në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, Trump pretendoi në mënyrë të rreme se mund t’i deklasifikonte dokumentet vetëm duke i menduar ato të fshehta.

Megjithatë, ajo që i ka futur në telashe si Trump-in, ashtu edhe Biden-in, nuk është keqpërdorimi i deklasifikimit, por dështimi për të mbrojtur sekretet në të cilat ata kanë qasje. Prokurori i posaçëm Robert Hur arriti në përfundimin se Biden i çoi me dashje letrat sekrete në shtëpinë e tij në Wilmington dhe në zyrën e tij në Delaware dhe në Pensilvani.

Hur nuk pranoi të ngrinte akuza. FBI-ja gjeti dokumente sekrete të shpërndara rreth Mar-a-Lago dhe këshilltari special Jack Smith ka akuzuar Trump-in për bllokimin e përpjekjeve të qeverisë për t’i kthyer ato.

Ekspertët thonë se shkelje të tilla janë po aq produkt i krijimit industrial të sekreteve të Amerikës, aq edhe pakujdesi në trajtimin e tyre. Askush nuk e di se sa sekrete krijon SHBA-ja në vit: numri u rrit nga më shumë se 5 milionë në 2006 në më shumë se 95 milionë në 2012, dhe përfundimisht qeveria thjesht ndaloi së numëruari.

Ish-zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes vlerësojnë se diku nga 50% deri në 90% e tyre nuk duhet të klasifikohen fare. Zvogëlimi i sekreteve amerikane është bërë aq ekstrem sa organizatorët e një videolojeje të njohur në internet, ‘War Thunder’, e cila grumbullon skenarë mes ushtarakëve të botës reale, i kanë paralajmëruar vazhdimisht pjesëmarrësit që të ndalojnë përpjekjet për ta bërë lojën më të vërtetë përmes ndarjes së hollësive të klasifikuara në lidhje me sistemet e armëve që përmban.

A mund të ndihmojë gatishmëria e Shtëpisë së Bardhë për të deklasifikuar inteligjencën për qëllime strategjike me mbiklasifikimin? Avokatët thonë se është më e vështirë për agjencitë të justifikojnë mbajtjen e sekreteve nga vitet 1950, kur spiunët e sotëm po tregohen më fleksibël me të tyret.

Në teori, Inteligjenca Artifiiale mund të përdoret për të krahasuar miliarda sekrete qeveritare me ato që janë në dispozicion publikisht. Bordi i Deklasifikimit të Inteligjencës Publike, një zyrë e Arkivave Kombëtare e ngarkuar me luftimin e mbiklasifikimit, argumentoi për përdorimin e teknologjisë së re në një raport të vitit 2020 dhe Haines ka miratuar disa nga idetë e tij.

Gjithmonë do ketë sekrete me vlerë kaq të madhe ose me origjinë të brishtë, saqë ato duhet të mbrohen.

“Ndërsa sasia e informacionit të disponueshëm publikisht ka shpërthyer në thelb, kjo nuk do të thotë se epoka e sekreteve të mëdha ka mbaruar”, thotë Haines për TIME.

Por grumbullimi masiv dhe mediat sociale kanë ndryshuar ekonominë e fshehtësisë. Dikur, inteligjenca e klasifikuar që u jepte vendimmarrësve një përparësi ndaj kundërshtarëve të tyre ishte aq e vështirë për t’u arritur sa që ishte vërtet e çmuar për sigurinë kombëtare.

Tani, inteligjenca që dikur kërkonte muaj për t’u mbledhur dhe përpunuar, mund ta bëjë atë në pak minuta. Grupet me “burim të hapur” si ‘Bellingcat’, kanë treguar vlerën e postimit të fakteve në internet për të kundërshtuar narrativën e rreme të një autokrati përpara se ajo të zërë rrënjë. Për të nxjerrë vlerën nga të paktën disa prej miliarda sekreteve të saj, argumentojnë ithtarët e deklasifikimit, qeveria e SHBA-së duhet t’i bëjë ato publike.

Kjo mund të ndihmojë gjithashtu me atë që është bërë një krizë e besimit të publikut në komunitetin e inteligjencës. Në një raport të vitit 2019, Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë, Michael Horowitz, zbuloi se FBI kishte abuzuar me procesin e aplikimit për urdhërimin për të spiunuar amerikanët 17 herë, ndërkohë që po gjurmonte ish-zyrtarin e fushatës së Trump-it, Carter Page.

Deri në vitin 2021, FBI-ja kreu më shumë se 3 milionë kërkime mbi të dhënat e mbledhura për amerikanët, përfshirë ata të përfshirë në trazirat e 6 janarit dhe protestat e Black Lives Matter, pa urdhër, sipas një raporti të ODNI.

Ndoshta nuk është për t’u habitur që disa amerikanë u besojnë teorive të konspiracionit, që nga zemërimi i Trump-it për një “shtet të thellë” brenda Departamentit të Shtetit dhe institucioneve të tjera, deri te pretendimet e kandidatit presidencial Robert F. Kennedy Jr. se CIA vrau xhaxhain e tij.

Sullivan beson se deklasifikimi i përgjegjshëm mund të ndihmojë në kthimin e kësaj krize besimi.

“Të jesh në gjendje të shikosh popullin amerikan në sy dhe të thuash, ‘Ne po e ndjekim këtë kërcënim, po e marrim seriozisht, po bëjmë diçka për të’, thotë ai, “krijon besim me një ndjenjë se dikush nga qeveria është në krye të problemit.”

Disa ekspertë të inteligjencës propozojnë të bëhet më shumë për të siguruar transparencë dhe mbikëqyrje, si fuqizimi i komiteteve dypartiake në Capitol Hill, miratimi i mbrojtjeve më të ashpra për sinjalizuesit dhe vendosja e rregullave në ODNI dhe Urdhrat Ekzekutivë nga Shtëpia e Bardhë për atë që deklasifikohet dhe si zvogëlohet ajo.

Por në fund të fundit, autoriteti i gjerë për të deklasifikuar sekretet i takon Presidentit. Që do të thotë se besueshmëria e Komandantit të Përgjithshëm është thelbësore për çdo përpjekje për të përdorur ndarjen e sekretit si një mjet për të luftuar dezinformimin dhe për të rindërtuar besimin e publikut.

“Ajo që na dallon është mënyra se si e bëjmë atë dhe për çfarë po e bëjmë,” thotë Bitar i NSC-së.

Ose, siç tha korrespondenti i CBS News Edward R. Murrow në Kongres në vitin 1963: “E vërteta është propaganda më e mirë”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e TIME

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani