Një aksident i një vinçi që u përplas me linjën e tensionit të lartë solli një shpërthim katastrofal në një kapanon në Lushnjë ditën e sotme.
Ngjarja rezultoi me vdekjen e dy personave, babë e bir, dhe plagosjen e 7 të tjerëve, duke përfshirë edhe deputetin e Partisë Socialiste, Bujar Çela.
Aksidenti ndodhi gjatë punës për ndërtimin e kapanonit, kur 55-vjeçari Roland Hoxha, duke drejtuar një vinç, aksidentalisht preku linjën e tensionit të lartë.
Fillimisht, dyshohet se vinçi ishte duke ngritur bombola me oksigjen për saldimin e pjesëve metalike të kapanonit dhe kontakti me linjën e tensionit të lartë shkaktoi shpërthimin e fuqishëm. Si pasojë e shpërthimit, humbën jetën drejtuesi i vinçit, 55-vjeçari Roland Hoxha, dhe djali i tij 24-vjeçar Elidon Hoxha. Dyshohet se ky i fundit kishte vetëm një muaj që kishin kthyer nga emigracioni.
Shtatë të plagosurit u dërguan në spital, ku 3 prej tyre, përfshi edhe deputetin Bujar Çela, janë transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar, ndërsa 4 të tjerët po mjekohen në Spitalin e Lushnjës.
Gjendja e të plagosurve raportohet të jetë e qëndrueshme, ndërsa deputeti Bujar Çela ka pësuar politraumë dhe është jokoshient.
Mjeku i Spitalit të Traumës tha se deputeti është rigzaminuar dhe është futur në sallë, pas disa dëmtimeve në pjesën e barkut. Mjekët thanë se deputeti është në gjendje stabël dhe se ndërhyrja do të kërkojë kohë. Nga të dhënat, mësohet se deputeti ka politraumë.
“Deputeti është intervenuar në kirurgjinë e Lushnjës, kanë parë dëmtime të mëdha. Këtu e riekzaminuam dhe tani sapo u fut në sallë. Ka dëmtime te barku, ka edhe brenda në abdome. Si gjendje deputeti që nga momenti që erdhi dhe tani është stabël. Ka shumë dëmtime, metalike që duhet të largohen”, tha shefi i Urgjencës së Traumës Gjovalin Bushi.
Në vendngjarje, përpos policisë, mbërritën edhe ekspertët e Njësisë Antieksploziv për të inspektuar bombolat e lënë në ambientet e kapanonit.
Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale, jo vetëm në ambientet e kapanonit, por edhe në bizneset përreth.