Një zjarr i madh në Bangladesh që përfshiu një ndërtesë gjashtëkatëshe, në të cilën ndodheshin disa restorante ku po darkonin shumë familje me fëmijë, ka vrarë të paktën 45 persona dhe ka plagosur dhjetëra, tha të premten ministri i Shëndetësisë.
Autoritetet thanë se një rrjedhje gazi ose një sobë mund të kishte shkaktuar zjarrin e së enjtes në kryeqytet, i cili u përhap shpejt pasi shpërtheu në një restorant dhe u frenua vetëm pas dy orësh përpjekje nga 13 njësi zjarrfikëse.
Spitalet po trajtojnë 22 persona me plagë djegieje, u tha gazetarëve ministrja e Shëndetësisë Samanta Lal Sen.
“Të 22 personat janë në gjendje të rëndë,” tha Sen pas një vizite në spitalin kryesor të Dakës.
Kryeministrja Sheikh Hasina shprehu tronditjen dhe pikëllimin për incidentin, duke urdhëruar zyrtarët që të ofrojnë trajtim të shpejtë për të lënduarit.
Një i mbijetuar, Mohammad Altaf, tregoi arratisjen e tij nga zjarri që vrau dy kolegë.
“Shkova në kuzhinë, theva një dritare dhe u hodha për të shpëtuar veten”, u tha ai gazetarëve.
Zjarrfikësit përdorën vinça për të shpëtuar njerëzit nga ndërtesa e djegur, thanë zyrtarët, të cilët ende po punonin për të pastruar mbeturinat dhe për të fshirë çdo prush të mbetur.
Mjekët thanë se shumica e të vdekurve u vranë nga mbytja dhe të tjerët vdiqën ndërsa u hodhën nga ndërtesa, e cila strehon gjithashtu disa dyqane veshjesh dhe telefonash celularë.
Zjarri mund të ketë ardhur nga një rrjedhje gazi ose sobë, tha Gjeneral Brigade Main Uddin, një zyrtar i lartë i shërbimit zjarrfikës.
Partia kryesore opozitare fajësoi qeverinë për zjarrin.
“Aksidentet dhe fatkeqësitë vazhdojnë të ndodhin pasi nuk ka sundim të ligjit,” tha në një deklaratë Mirza Fakhrul Islam Alamgir, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Nacionaliste të Bangladeshit (BNP).
“Qeveria nuk është përgjegjëse para popullit dhe për këtë arsye mbizotëron anarkia, ndodhin shumë aksidente dhe njerëzit humbin jetën”.