Dalja në zgjedhjet e 1 marsit në Iran duket se është në nivele të ulëta rekorde, sipas disa burimeve jozyrtare, pasi shumë iranianë e kanë konsideruar procesin si të “inskenuar”.
Zgjedhjet për parlamentin e ri, dhe Asamblenë e re të Ekspertëve, e cila emëron liderin suprem të Iranit, janë të parat prej protestave mbarëkombëtare të vitit 2022, të cilat kanë shpërthyer pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini sa ka qenë në mbajtje policore, pse nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.
Udhëheqësit e Iranit kanë pasur nevojë për dalje të madhe në zgjedhje për të rikthyer legjitimitetin pas protestave, mirëpo shumë iranianë kanë thënë se zgjedhjet janë “pa asnjë kuptim”.
Në procesin zgjedhor kanë kandiduar mbi 15.000 kandidatë për 290 ulëset e parlamentit.
Rezultatet fillestare pritet të bëhen publike më vonë gjatë 2 marsit.
Media shtetërore ka raportuar se dalja ka qenë “e mirë”, dhe është sugjeruar që rreth 41 për qind e banorëve e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.
Nëse kjo shifër është e saktë, ajo përbën përqindjen më të ulët ndonjëherë të daljes në zgjedhje në Iran, prej Revolucionit Islamik të vitit 1979, që ka rezultuar me ardhjen e klerikëve fetarë në pushtet.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se komuniteti ndërkombëtar është i vetëdijshëm që rezultatet e votimit nuk reflektojnë vullnetin e popullit.
Para zgjedhjeve, shumë figura të mirënjohura, përfshirë lauretaren e Cmimit Nobel për Paqe Narges Mohammadi, kanë thënë që duhet bojkotuar zgjedhjet, duke i konsideruar artificiale./REL