Vendosni fjalën kyçe....

Konflikti i Gazës drejt armëpushimit, SHBA: Izraeli ka pranuar kornizën e marrëveshjes


Izraeli ka pranuar kornizën e një marrëveshje për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve dhe tani Hamasi duhet të marrë një vendim për këtë, tha një zyrtar i administratës amerikane të shtunën, një ditë para se në Egjipt të rifillojnë bisedimet për armëpushim.

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë punuar për javë të tëra për të arritur një marrëveshje që do të mundësonte ndërprerjen e luftimeve përpara se të nisë muaji i shenjtë i Ramazanit më 10 mars.

Marrëveshja do t’i hapte rrugën dërgimit të ndihmave humanitare për qindra mijëra palestinezë në veri të Gazës, të cilët, sipas zyrtarëve të ndihmave, rrezikohen nga uria.

Izraelitët “e kanë pranuar pak a shumë propozimin”, që përfshin 6 javë armëpushim dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi, të cilët konsiderohen si të rrezikuar, duke përfshinë të sëmurët, të moshuarit, të plagosurit dhe gratë, tha zyrtari amerikan.

Tani, topi është në anën e Hamasit dhe ne po përpiqemi t’i çojmë përpara përpjekjet për arritjen e një marrëveshje sa më shumë që mundemi”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonomiti, sipas rregullave të vendosura nga Shtëpia e Bardhë, në kuadër të informimit të gazetarëve.

Zyrtarët nga Izraeli dhe Hamasi nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment nga agjencia e lajmeve Associated Press.