Vendosni fjalën kyçe....

Kurbin/ Gërryenin lumin Mat për inerte, arrestohen 2 punonjësit e kompanisë, në kërkim një tjetër dhe administratori


Dy punonjës të një kompanie që merrej me përpunimin inertesh janë vënë në prangat e policisë ditën e sotme, pasi u kapën në flagrancë teksa gërryenin shtratin e lumit Mat pa autorizimin përkatës.

Dy punonjësit e arrestuar janë identifikuar si Rexhep Shabani, 57-vjeç dhe Albert Dodaj, 59 vjeç.

Po ashtu, janë shpallur në kërkim nga policia administratori i kësaj kompanie, i identifikuar me inicialet B.A., 58 vjeç dhe një tjetër punonjës. i identifikuar si P.T., 60 vjeç.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 12 mjete të rënda (5 kamionë, 3 ekskavatorë, 2 fadroma dhe 2 impiante përpunimi inertesh) që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme. 

Veprimatria e paligjshme e kësaj kompanie u godit në kuadër të operacionit “Riverside” me fokus prandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit.

 

Njoftimi i policisë:

Gjatë operacionit, në Milot, është ushtruar kontroll në një subjekt për përpunimin e inerteve, në pronësi të shtetasit B. A. Nga verifikimet e kryera rezultoi se veprimtaria në këtë subjekt kryhej në kundërshtim me ligjin, sepse përveç se dëmtonte mjedisin, kryhej pa dokumentacionin përkatës, punonjësit ishin të paregjistruar dhe fshiheshin të ardhurat e përfituara.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 12 mjete të rënda (5 kamionë, 3 ekskavatorë, 2 fadroma dhe 2 impiante përpunimi inertesh) që i shërbenin kësaj veprimtarie të kundërligjshme. 

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast janë arrestuar në flagrancë 2 punonjës të subjektit, shtetasit:

  1. Sh., 57 vjeç dhe A. D., 59 vjeç, të dy banues në Milot.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim administratori i subjektit për llogari të të cilit punonin mjetet e rënda, shtetasi B. A., 58 vjeç banues në Milot, si dhe një punonjës i subjektit, shtetasi P. T., 60 vjeç, banues në Krujë. Vijon puna për kapjen e tyre. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.