Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në urgjencën e QSUT-së, Prokuroria nis hetim për gjetjen e personave përgjegjës


Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka regjistruar procedimin penal 1578, datë 29.02.2024 për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, sipas nenit 151 të Kodit Penal.

Ky procedim penal është regjistruar për të hetuar zjarrin që ndodhi në katin e parë të Urgjencës së Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’ në orët e para të mëngjesit të datës 11.02.2024. Në këtë fazë të procedimit, nuk janë identifikuar persona në hetim për këtë ngjarje.

Prokuroria ka urdhëruar administrimin e të gjitha provave për të dokumentuar shkakun dhe vlerën e dëmit të shkaktuar nga zjarri, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për shkaktimin e dëmit.

Me realizimin e akteve proceduriale dhe ekspertizave të nevojshme, pritet të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare në këtë ngjarje tragjike.