Presidenti francez Emmanuel Macron tha në një intervistë për gazetën çeke Pravo se Franca nuk po shqyrton dërgimin e personelit ushtarak në Ukrainë në të ardhmen e afërt.
Macron vlerësoi reagimin ndërkombëtar ndaj deklaratës të tij në lidhje me mundësinë e vendosjes së forcave ushtarake në Ukrainë. Presidenti francez deklaroi se nuk e përjashton një mundësi të tillë.
“Kjo nuk do të thotë se ne po shqyrtojmë dërgimin e trupave franceze në Ukrainë në të ardhmen e afërt, por do të thotë se kemi filluar një diskutim dhe po shqyrtojmë gjithçka që mund të bëhet për të mbështetur Ukrainën, veçanërisht në territorin ukrainas”, tha Macron.
Pas deklaratës së Macron pati një reagim ndërkombëtar nga aleatët perëndimorë të Francës duke nisur nga SHBA dhe Gjermania që kundërshtuan menjëherë mundësinë e dërgimit të trupave nga vendet e NATO apo BE në Ukrainë.
Rusia reagoi po ashtu pas deklaratës së Presidentit francez, me Kremlinin që theksoi se nëse në Ukrainë do të luftojnë ushtarë nga vendet e NATO-s kjo do të përkthehej në luftë të drejtpërdrejtë.