Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja dhe Koreja e Jugut nisin stërvitje të mëdha ushtarake


 

Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara më 4 mars nisën stërvitjet e mëdha ushtarake për të rritur gatishmërinë e tyre ndaj kërcënimeve bërthamore të Koresë së Veriut.

Stërvitjet vjetore ushtarake po mbahen pasi Veriu rriti armiqësitë me zgjatjen e testimeve raketore dhe me ashpërsimin e retorikës më herët gjatë këtij viti.

Forcat jugkoreane dhe amerikane do të zhvillojnë ushtrime të ndryshme në kuadër të stërvitjes“Mburoja e Lirisë” që do të zgjasë 11 ditë, tha Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut.

Koreja e Veriut ende nuk është përgjigjur ndaj këtyre stërvitjeve të mëdha vjetore, që në të kaluarën i ka cilësuar si stërvitje për pushtim. Veriu ka kryer testime provokuese të armëve në të kaluarën në kundërpërgjigje të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të armiqve të saj.

Ushtria jugkoreane tha javën e kaluar se do të kryente 48 stërvitje fushore me forcat amerikane gjatë kësaj pranvere. Kjo shifër paraqet dyfishim të stërvitjeve që dy shtetet kryen vitin e kaluar dhe në stërvitje do të përfshihen bombardime, sulme nga ajri dhe pengim të raketave.

Që nga viti 2022, Koreja e Veriut ka kryer mbi 100 testime të raketave me qëllim që të modernizojë arsenalin e saj, përderisa bisedimet me SHBA-në dhe Korenë e Jugut kanë ngecur që një kohë të gjatë. Në përgjigje, SHBA-ja dhe Koreja e Jugut kanë zgjeruar stërvitjet e tyre dhe është rritur numri i dislokimit të aseteve ushtarake amerikane, sikurse i aeroplanmbajtësve dhe bombarduesve bërthamorë me rreze të gjatë veprimi.

Këtë vit, Koreja e Veriut ka kryer gjashtë testime raketash dhe ka zhvilluar stërvitje me artileri. Lideri verikorean, Kim Jong Un, ka thënë se shteti i tij do të heqë dorë nga synimi i kamotshëm për një bashkim paqësor me Korenë e Jugut dhe do të ndërmarrë një qëndrim më agresiv ushtarak përgjatë kufirit të kontestuar detar me Korenë e Jugut. Po ashtu, Kim është zotuar se do të “asgjësojë” Korenë e Jugut dhe SHBA-në nëse provokohet, një kërcënim që ai e ka bërë edhe më parë.

Hapat e ndërmarrë nga Veriu kanë rritur shqetësimet se ky shtet mund të bëjë provokime në kufijtë detarë dhe tokësorë me Jugun. Por, ekspertët kanë thënë se mundësia që Koreja e Veriut të kryejë ndonjë sulm të plotë është e vogël, pasi Pheniani i di se ushtria e tij është më e vogël sesa forcat amerikane dhe jugkoreane./REL